Dy nën drejtorët e rendit në Elbasan Albert Nushi dhe Nikollaq Palla janë vënë në arrest shtëpie dhe 6 efektivë të tjerë janë pezulluar nga detyrat për vrasjen e Pjerin Xhuvani në Elbasan. Por kur ka kaluar më shumë se një vit nga kjo ngjarje, gazetari Artan Hoxha thotë se brenda 21 korrikut pritet që çështja të shkojë për gjykim. Ndërsa risolli edhe një herë në kujtesë se çfarë ndodhi më 21 prill të vitit që shkoi, katër ditë para zgjedhjeve, Hoxha zbuloi gjatë një prononcimi për media ditën e djeshme se një kamera sigurie e vendosur larg nga vendi i ngjarjes ka filmuar të gjithë skenën. Kamera ka qenë larg, por cilësia e imazhit sipas tij është shumë e lartë dhe çdo gjë duket qartë. Pamjet, sipas gazetarit, i disponon prokuroria dhe janë përdorur për rindërtimin e skenës.
Sa i përket efektivëve dhe nëndrejtorëve, Hoxha thotë se ata janë sot në procedim penal sepse janë përgjegjës për atë që ka ndodhur. Vetë Hoxha i ka parë pamjet e filmuara dhe thotë se të parët që qëlluan ishin anëtarët e Strukturës së Mbrojtjes së Votës të PD-së. “Policia ishte më e pakët në numër, edhe se ata që ishin edhe se ata që erdhën. Këta që erdhën ishin të njohur në qytet, s’i prekte dot. Ata nuk patën kurajo të vepronin. Kurse opozita pati përgjegjësinë e zmadhimit të ngjarjeve”, deklaroi ai. Ndërkohë në automjetin e Mehmet Grecës, sipas gazetarit, nuk kishte as para dhe as karta identiteti.
Në automjet ai kishte pasur vetëm fotokopje kartash identiteti dhe vetëm disa para xhepi. “Shkoi në Elbasan SMV, atë mëngjes. Në Elbasan Arena një ditë më parë u bë një takim i madh, që krijoi përshtypjen se mazhoranca kishte epërsi të madhe në Elbasan. Opozita donte të tregonte forcën…Nuk shkuan kot, por ai u doli që s’kishte gjë. Nuk do t’i shpërndante në mëngjes paradite lekët”, u shpreh ai. Më tej Artan Hoxha tregoi po ashtu se asnjë nga palët nuk ka bashkëpunuar me policinë. Sipas tij, dëshmitarët kanë frikë kurse të përfshirët kanë bërë një pakt “të vdekurit ikën, të shpëtojmë të gjallët.”
Gazetari paralajmëron arrestime “VIP”
Më tej gazetari Artan Hoxha rrëfeu se i ka parë pamjet dhe i përshkruan ato si një provë të fortë të hetimit, duke paralajmëruar madje edhe arrestime “VIP”. Gazetari theksoi se prokuroria i ka siguruar disa muaj pas ngjarjesh. “Arbër Paplekaj Ai ka hapur zjarr në disa drejtime. Nga Fuoristrada kanë zbritur pak njerëz. Në momentin që s’kishte humbur jetën mjeku ai tenton të ngrihet dhe në atë moment është goditur pas koke. Pra është goditur në gjoks dhe në kokë. Është plagosur dhëndri i tij dhe policja. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy ose tre lloje gëzhojash. Janë përdorur dhe armë të tjera. në pjesën e trotuarit pemët sapo kanë dalë gjethet dhe aty janë pemë rrapi, ato kufizojnë pamjen. Por të japin qartë pozicionet. Videon duhet ta ketë marrë disa muaj më vonë prokuroria nuk e ka pasur që në fillim”, tha ai.
Po ashtu, gazetari tregon se kamera ka qenë e instaluar në një banesë aty pranë dhe ia ka treguar pronari, i cili ishte emigrant. Hoxha thotë se ka qenë vetë ai që ka kërkuar ta kontaktojë, pasi e ka pyetur nëse do të kishte pasoja nëse videon ua vinte në dispozicion autoriteteve. “Unë e kam parë nga një person. Ai e kishte vendosur kamerën për të mbrojtur shtëpinë e vet se ishte emigrant. Pamjet ishin fantastike. Unë kam kërkuar pamje dhe shikoja që kishin kamera po s’kishin server. Ky personi më ka njoftuar vetë dhe më ka thënë kam këtë filmim. Unë rrezikoj më tha, dua të di me këtë gjë a kam unë pasoja. Nuk e njihja. Besoj se prokuroria e ka siguruar. Ky personi më mbrapa ka kërkuar që ta vendosë në dispozicion të hetimit”, theksoi ai.
Ja 2 kategoritë që porosisin vrasjet në Shqipëri
Mes të tjerash, duke komentuar fenomenin “Dumani”, gazetari Artan Hoxha u shpreh se ka dy periudha të rritjes së kriminalitetit, në kohën e festave të fundvitit dhe gjatë pushimeve verore. Hoxha tha se gjatë verës kriminelët e humbin vigjilencën dhe kundërshtari arrihet më lehtë. Madje, Hoxha theksoi se Dumani ka mbajtur shënime dhe është në gjendje të zhvendosë ngjarjet dhe kjo i bën ngjarjet e besueshme. Sipas gazetarit investigativ, me të dhënat dhe shifrat që dha Dumani na çon në mendimin te vrasjet i porosisin dy kategori. “Dumani ka mbajtur shënime të mira, është në gjendje të zhvendosë ngjarjet. Ka marrë një ngjarje dhe po e bën të besueshme.
Dumani për mua na dha një shikim nga brenda të asaj që flasim, na solli një skaner, një mënyrë si funksionon. Ai ka bërë një shërbim opinionit publik se duke përmendur shumë emra një pjesë e mirë janë zhdukur, kanë marrë masa, janë në pritje. Dumani ka treguar shifra për pazaret vrasjes. Këta të Niklës janë acaruar se këta të vrisnin për hiç gjë. Nga ana tjetër na shpjegoi se shifrat e larta. Dy mundësi ka ose këta të kokainës, ose këta të korrupsionit këta me kostum Kashmiri vetëm këta mund të paguajnë, ai ka treguar që po është paguar kaq shumë, ka treguar si i ka ikur policisë, e ka bërë vrasjen të duket kaq e thjesht. Gjëja e parë që më shkoi në mendje është sa të rrezikuar qenkemi”.
Hoxha komenton Amnistinë Fiskale
Ndërkohë teksa komenton Amnistinë Fiskale, gazetari Hoxha i bindur se “Amnistia Fiskale” po bëhet për të pastruar paratë e korrupsionit, zbulon se shumica e lekëve të pista në Shqipëri vijnë nga Anglia. Hoxha ka thënë për mediat se projektligji për Amnistinë Fiskale do të pastrojë paratë e korrupsionit. “Unë po mendoj që kjo po bëhet për të pastruar paratë e korrupsionit. Përfitojnë më shumë zyrtarët dhe politikanët e korruptuar nga amnistia fiskale. Amnistia fiskale është tentuar të bëhet disa herë në Shqipëri. Sot jemi përpara faktit të kryer. Keni dëgjuar ju ndonjëherë drejtor doganash i larguar i varfër? Ky është problem.
Kjo para po kërkohet të amnistohet. Ne ndodhemi në situatën që qarkullon shumë para e pistë. Shikon Tiranën, popullsia zvogëlohet, rrogat nuk rriten, ndërsa ndërtimet dhe çmimet rriten. Kush i rrit çmimet e apartamenteve? Blejnë me para të pista? Jo. Kjo para e pistë vendos për fatet tona, sponsorizojnë fushatat. Si vjen paraja e pisët në Shqipëri? Toyota Yaris ishte një formë. Nga Anglia vjen me Range Rover”, nënvizoi gazetari Hoxha.