Artan Lame sqaron sherrin me pronarët e tokave në Lukovë

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Pronave, Artan Lame gjatë intervistës së dhënë për emisionin “Unpublished” në Euronews Albania ka folur për përplasjen që pati me banorët në Lukovë, rreth dy javë më parë.

Lame kishte shkuar të takonte banorë të disa zonave në Lukovë për çështjen e regjistrimit të pronave, proces që edhe pse kanë kaluar 30 vite, shumë shqiptarë nuk gëzojnë të drejtën e një dokumenti pronësor. Takimi, ku merrte pjesë dhe kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u shoqërua me tension ku disa nga banorët kërkuan largimin e kreut të Agjencisë Shtetërore të Pronave.

“Jo nuk u largova nga ai takim, përkundrazi unë e kam publikuar vetë videon e fillimit dhe vazhdimit të atij takimi.

E publikova pikërisht për të treguar se sa emocional janë njerëzit pas 30 vjetësh që presin por nga ana tjetër kur je në gjendje t’ua shpjegosh gjërat, t’i ulesh në tavolinë, t’u mbushësh mendjen, qetësohen dhe i binden ligjeve të shtetit.

Sepse në fund të fundit, e vetmja mënyrë për t’i bërë pronarë përfundimisht, është kjo që po bëjmë tani, regjistrimi në Kadastër e pronave të tyre”, u shpreh kreu i Agjencisë Shtetërore të Pronave. Lame gjatë intervistës deklaroi se, ka një plan për regjistrimin e pronave në jug.

Sipas tij, Kadastra e Vlorës do të ristrukturohet pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme në harkun kohor të 10 muajve.

Regjistrimi do të bëhet nga ekipe nga Tirana me matje në terren dhe hedhje të të dhënave në një hartë të përbashkët. Aty pritet të dalin në dritë mbivendosjet dhe abuzimet që pretendojnë banorët.

Loading...