Kinematografia shqiptare në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare aktori i njohur Anastas Kristofori.
Lajmin e hidhur e kanë bërë me dije miqtë dhe të afërmit në rrjetet sociale. Anastas Kristofori njihej për një sërë rolesh, por është ngulitur në mendjen e shqiptareve për rolin e tij si drejtor Perikliu te “Pallati 176”.
Anastas Kristofori ka lindur më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970, fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971.
Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli I sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës,rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot liria në derë”.
Në kinematografi roli I tij I parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit ,Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure” më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982,rolin e z.Antonio,Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984,rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj. Roli i tij më i fundit do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit. Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.