Arti shqiptar humbet një tjetër gur themeli/ Ndahet nga jeta artisti Petrit Ruka

Arti i kinemasë dhe i letërsisë ka humbur një nga figurat e saj më të rëndësishme. Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare artisti Petrit Ruka. Lajmin e kanë bërë publik familjarë dhe miq të artistit.

Petrit Ruka lindi në Tepelenë më 21 gusht të vitit 1954 ku mori dhe arsimimin bazë për të vazhduar më pas me studimet e larta në “Gjuhë dhe letërsi shqipe” dhe në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Tiranë. Krijimtaria e artistit ishte shumë e lartë dhe ka dhënë një kontribut shumë të madh si në kinematografi ashtu edhe në letërsi.

Përveç krijimit të shumë skenarëve të filmave shqiptarë ai gjithashtu ka qenë edhe regjisor në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ai gjithashtu ka drejtuar edhe shumë institucione të rëndësishme artistike edhe kulturore gjatë karrierës. Në rrethin e kineastëve shqiptarë kujtohet me respekt kontributi që ai ka dhënë në kohë të vështira për kinemanë shqiptare në vitet 2000-2005 si kryetar i “Qendrës Kombëtare Kinematografike”.

Zhanër tjetër i preferuar për artistin ka qenë edhe poezia të cilën ai e donte shumë dhe ku ka botuar me dhjetëra vëllime poetike të cilën e shprehte se i buronte si frymëzim nga fëmijëria e tij e hershme. Gjatë karrierës së tij si artist Petrit Ruka është vlerësuar me shumë çmime por më i rëndësishmi ishte titulli i lartë “Nderi i Kombit”. //atsh

Loading...