Nga Loreta Berhami
Atdheu im nuk është një vijë kufitare apo një flamur kuq-e-zi, as një parti apo një fjalim frymëzues.
Atdheu është im atë dhe ime ëmë, dhe netët e kaluara në dritën e një qiriri, duke luajtur me gjeagjëza e duke ngrënë bukë e djathë.
Atdheu është im vëlla, fëmijë që më shtrëngon dorën teksa shkojmë në shkollë herët në mëngjes.
Atdheu është gjyshja ime dhe fshati me ara, gjarpërinj e pushtues, siç i rrëfente ajo.
Atdheu është gjyshi im dhe kafja turke me pak sheqer.
Atdheu janë rrugët e përbaltura të fëmijërisë dhe hareja e çdo zbulimi pas një muri apo guri të rastësishëm; era e bukës së thekur; çaji i malit dhe besimi i verbër në të; bamjet, pilafi dhe djathi siç nuk i gjeta gjëkundi…
Atdheu është bindja e palëkundër se diku në botë gjendet të paktën një vatër e ngrohtë e mikpritëse gjithmonë e hapur për ty.