Atentati në Durrës – Rreth 20 të shoqëruar, ja tre prokurorët që po hetojnë

Atentatorë të cilët planifikuan të eliminonin prokurorin Ndoji, mesa duket qëllimisht vendosën të braktisin pa djegur makinën e përdorur.

Në të shumtën e rasteve në ngjarje të tilla autorët pas krimit e djegin makinën për të humbur gjurmët. Kjo është një metodë mjaft e përdorur në ngjarjet kriminale.

Pas atentatit të së premtes në Shkozet të Durrësit, ku mbetën tre të plagosur mes, tyre edhe prokurori Arian Ndoji, janë shoqëruar në polici rreth 20 persona për t’u marrë në pyetje.

Prokurori Anton Martini, Donika Prela dhe Besim Hadarmataj kanë urdhëruar shoqërimin e të gjithë personave që mund të ndihmojnë ose kanë dijeni në lidhje me atentatin që iu bë pasditen e së premtes prokurorit Arian Ndoji, që ishte i shoqëruar në makinë nga dy personat e tjerë, shoferin Andi Maloku dhe Aleksandër Lahon, i njohur edhe si i “Rrumi” i Sukthit.

Mes të shoqëruarve mësohet se ka qenë edhe Plaurent Dervishaj, ish-kunati i Lulzim Berishës dhe Julian Meçe, të cilët u plagosën në atentatin e organizuar ndaj tyre në qershor të këtij viti, thuajse në të njëjtën zonë, ku ndodhi ngjarja të premten. Mësohet se pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë.

Gjithashtu, mësohet se celularët e dy të plagosurve në atentat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për t’u ekzaminuar, të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Një pikë tjetër mbi të cilën prokuroria po punon mbi këtë çështje është edhe përgjigja e ekspertizës së policisë shkencore mbi automjetin, i cili u gjend i braktisur rreth një orë pas ngjarjes, pranë varrezave të fshatit Shkafane, në drejtim të Ishmit.

Brenda mjetit të braktisur policia gjeti dy armë kallashnikovë, maska dhe shishe benzine.

Ndërkaq, gjendje shëndetësore e prokurorit Ndoji, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit bashkë me të plagosurin me nofkën “Rrumi”, dhe i plagosuri tjetër në spitalin e Traumës, vijon të mbetet e njëjtë.

Një ditë më parë, prokurori Arjan Ndoji dëshmoi se nuk ka qenë ai shënjestra e këtij atentati. Ndërsa ende nuk janë marrë në pyetje Landi Muharremi dhe Andi Maloku, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Loading...