Nga Harilla Koçi
-Reportazh-
Konflikti mes dy personazheve të njohura në historinë e Romës së lashtë, u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin ’48 para erës së re, Çezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta, vendi i zbarkimit të trupave të Qezarit, është bregu i Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që, Jeriko, përkon me Orikumin.
col3
Për të shkuar më pas, drejt Jerikos(Orikumit), trupat e Qezarit përshkruan një rrugë të vështirë, përmes Qafës së Llogorasë, duke kaluar në shtigje dhe duke lënë pas edhe gjurmë në histori. Në këtë këtë qafë të lartë 1050 metra mbi nivelin e detit, eksizton sot një shteg që emërtohet “Shtegu i Qezarit”, si dëshmi e asaj historie, që mban në vetvete emra të shquar të dimensioneve botërore.
Bregdeti i Palasës, është përmendur shpesh nga të moshuarit e kësaj zone, për historinë, që ka si kulm konfliktin mes Çezarit dhe Pompeut.
Sot, ky vend është një plazh i mrekullueshëm, shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Plazhi masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar.
20140727-221139
Uji i kthjellët i detit, që të ngacmon shqisat, i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë.
Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone, thotë se, nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç edhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore.
Shkëmbinjtë e prerë si me thikë, që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. Ky plazh është një nga surprizat e bregdetit të Himarës, ashtu siç është e tillë edhe historia e lashtë e tij.
Duke ju rikthyer Çezarit dhe librit të tij, veçojmë se ai përmend në të fisin kaon ilir të germineve (Dhërmiut), që popullonte këtë zonë, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj krahine. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës.
Duke pushuar këtu, në këtë plazh plotësisht të virgjër, të duket se percepton në kujtesë ngjarjet e asaj historie të lashtë, kur dy personazhet e famshme të Romës, zgjidhnin bregdetin e Ilirisë për të provuar forcat me njeri tjetrin. Përveçse në libra, historia është e shkruar këtu në këta gurë dhe guralecë, në këta shkëmbinj, në këto pemë përherë të gjelbëruara, që mbulojnë bregdetin.
plazhi-i-palases-himare
Plazhi, dikur i privuar edhe për banorët e këtyre anëve, tashmë është një realitet tjetër. Ai spikat qartësisht, qysh kur nis të zbresësh në kthesat e larta të Llogorasë. Shikimi prek një zonë të bardhë që vazhdon deri në brezin e ujit, ku nis e transformohet gradualisht në një ngjyrë të kaltër të thellë. Ky është ngacmimi i parë që merr kushdo që vjen këtu për herë të parë.
Për të shkuar në këtë plazh, duhet të kthesh rrugën djathtas, pa arritur në Urën e Palasës. Disa koshere bletësh, që prodhojnë një mjaltë si askund tjetër, të ftojnë të shijosh prodhimin e tyre përpara se, të drejtohesh për në parajsën natyrore, që ndodhet disa qindra metra më poshtë.
Duket se, bletërritësit, nuk e kanë zgjedhur rastësisht këtë vend, për të tregtuar prodhimin e tyre. Janë të shumtë ata pushues, qytetarë nga gjithë vendi dhe turistë të huaj, që kanë nisur t’i bashkohen këtij peizazhi shumëngjyrësh, në pjesën më të madhe të muajve të vitit, por, veçanërisht në verë. Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu edhe një mundësi tjetër, vendosjen e çadrave.
Numri i atyre që zgjedhin këtë mënyrë për të shijuar plazhin e Palasës, ka ardhur në rritje. Ata janë nga Vlora, Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Fatosi, është një prej atyre që i pëlqen ta frekuentojë këtë pjesë të bregdetit, duke hapur një çadër që ai e ka blerë para dy vjetësh. Vjen këtu me bashkëshorten dhe me vajzën, pothuajse çdo të premte dhe largohet të dielën në mbrëmje. “Është një mrekulli ky vend. Ke detin dhe përkundruall tij edhe malin, që duket sikur të qëndron mbi kokë”, thotë 44-vjeçari nga qyteti i Vlorës.
maxresdefault (3)
Për Fatosin, kjo është një parajsë tokësore, që të bën të ndihesh ndryshe. Janë qindra pushues, që këtu përjetonjnë veç të tjerash edhe dimensione të tjera njerëzore.
Kalojnë ditë dhe netë të paharruara në shoqërinë e detit të kthjellët e ajrit të pastër. Ata shtohen çdo javë, muaj e vit. Ja, këtë verë, numri i atyre që shijojnë plazhin e Palasës, është shumë më i madh se vitin e kaluar. Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës që të çon aty, është edhe një arsye më shumë.
Por, ky vend ka shumë më tepër hapësirë. Janë mijra metra katrorë bregdet, që nuk preken nga njeriu dhe që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm turistik për zonën.
Dimensioni turistik dhe ai natyror, e shndërrojnë këtë pjesë të bregdetit shqiptar, në një mundësi, në një perspektivë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Parashikohet që, ky element i historisë së kësaj pjese të Rivierës, të shfrytëzohet përmes një projekti që synon promovimin e vlerave historike në funksion të turizmit. “Është menduar të ndërtohet një memorial që evokon ngjarjen e zbarkimit të Qezarit, si një mënyrë për të zgjuar interesimin e turistëve të huaj”, thotë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.
Nga ana e saj, Mirela Koçi, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, thotë se toponimia historike shton mundësitë për zgjerimin e potencialeve turistike të zonës. /tesheshi.com/