Aty ku bora duket sikur vjen nga deti – Në Llogora!

Të vizitosh Vlorën, do të thotë t’i japësh vetes privilegjin e të shijuarit ndjesinë më të këndshme e më mbresëlënëse të shijes së mirë, humorit gjithnjë në nivele të larta dhe natyrës së mrekullueshme.

Vlora është qytet elegant, i zbukuruar nga bregdeti i thyer e gjithashtu i butë, që fillon nga Pylli i Vjetër i Sodës dhe plazhet me rërë, e deri matanë Qafës së Llogorasë, ku fillon edhe riviera shqiptare.

Një perlë midis Adriatikut dhe Jonit, Vlora është një tundim i vazhdueshëm për të pushuar në brigjet e saj të serta e tërheqëse njëkohësisht, duke patur përballë edhe brigjet shkëmbore, të gadishullit të Karaburunit dhe krah tij, ishullin e Sazanit, por edhe ashpërsinë e maleve të Vetëtimës dhe gjelbërimin e përhershëm të pishave të Llogorasë.

Llogoraja është ndoshta nga të rrallat vende në botë ku freskia e ajrit të malit, përqafohet me ajrin e ngrohtë të detit, në një distancë pothuajse ngjitur. Mund të zbresësh nga Maja me borë e Çikës, dhe të shkosh të lahesh në det brenda pak minutave.

Sigurisht që me vete, njëkohësisht me rrobat e trasha që ju duhen për në mal, duhet të pajiseni edhe me rrobat e banjës dhe pajisjet e detit.

Pikërisht në këtë park magjik do të ndalojmë e të pushojmë këtë herë, duke dashur të shohim e të themi se si është Llogoraja në dimër, kur bora e mbulon e kur gjithçka struket brenda oxhakëve të ndezur, e kur piknikët mund të bëhen vetëm nga aventurierë me veshje dimri.
Shpesh njerëzit e ngatërrojnë fjalën Llogora, me Llogara, dhe rëndom përdoren dendur të dyja variantet. Por në toponimin e saktë të zonës, ajo quhet Llogora, madje vlonjatët kur e shquajnë fjalën, thonë “Llogorai” e jo Llogoraja. Le të quhen të gjitha këto të vlefshme, përsa kohë njerëzit do të duan ta thonë me dëshirë e kënaqësi këtë fjalë.

Gati për udhëtim

Një thënie shoferësh të vjetër të zonës së Vlorës thotë se po deshe ta njohësh makinën tënde, bëj një xhiro deri në Llogora dhe nëse nuk i ndodh asgjë, do të thotë që e kalon testin e cilësisë. Kështu që, kthehet në një sfidë të vërtetë, ta ngjitësh Llogoranë në dimër e me dëborë, për shkak të shkallës shumë të lartë të vështirësisë që ka ky segment rrugor, jo vetëm në dimër por edhe në verë.
Kur futemi në zonën e Dukatit, shikojmë banorët e parë që megjithëse shumë ftohtë, kanë dalë si zakonisht me tavolinat e tyre të vogla për të shitur çaj mali, bimë mjekësore, apo mjaltin e njohur të zonës. Ndalemi e pyesim njërin prej tyre se sa kushton një kilogram. Na thotë dhjetëmijë lekë të vjetra. – E ku ta kuptojmë që është i mirë apo i papërzier me sheqer, – mëdyshemi ne. Ai është një djalë i vogël rreth 12 vjeçar. – Nuk e di, por mjalti nëse është i mirë, ngrin. Kaq më ka thënë babai, – thotë dhe tregon me dorë vazot e qelqit ku mjalti ishte ngurtësuar. E morëm një vazo. Na falënderoi dhe na dhuroi një tufë çaj mali. E përshëndetëm dhe vazhduam.
E dimë se resorti i parë që na përshëndet sa futemi në zonën e Parkut është Fshati Llogora. Sorkadhet e buta të resortit, kanë dalë të kullosin nëpër dëborë, kuptohet pa gjetur gjë. Por ato nuk janë të uritura, sepse çdo vizitor që vjen në kompleks, i ushqen me qejf. Na erdhi mirë për to, dhe keq për simotrat e tyre të egra që janë në rrezik zhdukjeje, për shkak të babëzisë së gjuetisë së palejuar, që i ka detyruar të zhduken thellë në zonat e pashkelura të Parkut. Shtëpitë e drunjta të resortit ishin mbuluar nga bora dhe në oxhakët e tyre dilte tym. Kjo tregonte se të gjitha ishin të populluara. Njerëzit vinin të paguanin për këtë qetësi të mrekullueshme ku në dhomë ishte ngrohtë e në sobë kërcisnin drutë, ndërsa jashtë bora kishte zbardhur çdo gjë e të ftonte të lozje në sheshin e madh të fshatit turistik.
Të gjitha ndërtesat e Llogorasë, restorante apo hotele, e kanë nga një oxhak të madh. Dhe gjatë të gjithë dimrit, gjithë ditën, tavolinat pranë oxhakut janë të mbushura me njerëz. Në ajër ndihet era e mishit të pjekur, e cila vërtet të hap oreksin.

Për pak adrenalinë

Por Llogoraja nuk është vetëm për pushues “dembelë” që vijnë të shijojnë një mish të mirë e një pjatë “arapash” pranë zjarrit. Ajo është edhe vatër sportesh ekstreme, që aventurierët dhe “gjuajtësit” e adrenalinës, e konsiderojnë si tempullin e tyre. P.sh. nëse ju njiheni nga afër me djemtë e grupit “Outdoor Albania”, që janë profesionistë të vërtetë të aktiviteteve “outdoor and extreme”, ju do të mund ta pushtoni Llogoranë, jo vetëm në 1100 metrat e saj, por deri në majën më të lartë, aty ku ndodhet Çika Qorre, e cila është plot 2050 m nga niveli i detit, që llokoçit valët poshtë këmbëve të saj. Me këtë grup profesionistësh ju mund të zhyteni në aventurë, për të shkelur, në Dhjopur, në të dyja majat e Çikës, në të gjitha shpatet e thepisura të vargmaleve të Akroceraunit ose Vetëtimës. (Akrocerauni vjen nga greqishtja dhe do të thotë Majat e Vetëtimës, kurse emri Çika ka ardhur sepse ky vargmal mbledh shumë vetëtima që shkrepëtijnë e që në gjuhën e vendësve do të thotë “bëjnë çika”).

Llogoraja, park kombëtar

Llogoraja ndodhet rreth 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Parku ka një sipërfaqe prej 1,010 ha. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë në formë kurorash mjaft interesante ndikuar edhe nga korentet e erërave. Këtu do të veçonim “Pishën Flamur” që është një monument i rrallë i natyrës, me mjaft vlera turistike dhe shkencore. Nga qafa e Llogorasë rreth 3 km në vijë ajrore, syri të përfshin detin Jon, pjesët e thepisura të Maleve të Vetëtimës si dhe një pjesë të mirë të Rivierës shqiptare.

Kushtet klimaterike

Ky park ka vlera klimaterike të padiskutueshme dhe kjo falë kombinimit mjaft të mirë të ajrit të freskët malor me atë detar. Vera është e freskët dhe pothuaj të gjitha ditët janë me diell. Në dimër koha është e ftohtë, me erëra të forta dhe kryesisht me reshje dëbore. Llogoraja është e njohur edhe për mjegullën e dendur, e cila dominon pothuaj gjatë të gjithë vitit. Edhe ditët e ngrohta, ju mund të kaloni përmes mjegullës dhe poshtë në det, nga të dyja krahët e parkut, në Radhimë ose Palasë, dita është plot diell.

Flora dhe Fauna

Zona ka biodiversitet të lartë dhe të rëndësishëm në Mesdhe: livadhe alpine e subalpine, pyll pishe (Pinus nigra) dhe rrobulli (Pinus leucodermis), bredhit të Maqedonisë (Abies borisii-regis), dushkut (Quercus coçifera), makie tipike mesdhetare, bimësi tipike e shkëmbinjve, apo lule të të gjitha llojeve. Është zonë me një florë e faunë shumë të pasur detare dhe tokësore, zonë ku takohen lloje endemike e subendemike si dhe shumë lloje të rrallë e të kërcënuar (Taxus bacata, Ceratonia siliqua etj.). Kafshët që rriten në këtë pyll, janë Sorkadhja, (në rrezik zhdukjeje), dhia e egër, ketri, iriqi, shqiponja, thëllëza e shumë të tjera.

Aktivitete dhe sporte të ndryshme

Llogoraja është zonë me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe ekoturizmit. Vendi është një kombinim i shkëlqyer mes klimës malore dhe asaj detare. Ju mund të shëtisni, mund të organizoni ekskursione, mund të ushtroni të gjitha sportet e ajrit, apo trekking. Gjuetia dhe kampingu, janë të lejuara në zona të caktuara të parkut, për të cilat duhet të konsultoheni me autoritetet.

Kuzhina dhe akomodimi

Ata që do të kalojnë qoftë edhe një herë të vetme Qafën e Llogorasë, nuk duhet të lënë pa shijuar kuzhinën karakteristike të të gjithë zonës së Vlorës, e cila përfaqësohet denjësisht me qengjin e pjekur në hell. “Arapashi” në gjuhën popullore (pasi termi i vërtetë do të ishte “Harapashi”) është ai që shoqëron mishin e qengjit ose të kecit. Ai gatuhet me të brendshmet e këtyre dy thundrakëve të leshtë dhe është në një farë mënyre pasaporta gastronomike e të gjithë zonës por në veçanti e Llogorasë. Mishi i pjekur në hell, në Llogora ka një shije të veçantë sepse rritet në toka të ushqyera me erën e kripur të detit, që është e pasur me jod. Gjithashtu nuk duhet të lini pa provuar kosin e deles, ullinjtë e Vlorës dhe verën e mrekullueshme të bërë nga rrushi i vreshtave përreth zonës së Vlorës. Të gjitha këto e më shumë, do t’i gjeni nëpër restorantët e vegjël e të mëdhenj, që ju mirëpresin sapo ngjitni qafën e Llogorasë, e derisa ta lini atë dhe t’i afroheni Palasës. Edhe akomodimi nuk mungon në parkun e Llogorasë. Kështu nëse doni të pushoni dhe nuk keni me vete pajisje për kamping, mund të akomodoheni në një sërë hotelesh. Por për vizitorët e shumtë, pa dyshim që qendra e këtij akomodimi është fshati Turistik i Llogorasë, i cili është shumë i njohur për shkak se ka qenë aty edhe para viteve ’90. Po edhe Tek Hotel Alpin, dhe tek resorti Sofo, mund të akomodoheni me kushte shumë të mira bashkëkohore.

Çfarë mund të vizitoni brenda parkut dhe zonave përreth

Para se të ngjiteni në Qafën e Llogorasë, ju duhet të kaloni patjetër qytezën e Orikumit. Përveç gjirit të tij të njohur, ju mund të ktheheni pas edhe në kohë, duke vizituar Parkun Arkeologjik të Orikumit. Oriko, (Orikumi) ka qenë pjesë e tokës së fisit të Amantëve. Qyteti është ndërtuar mbi rrënojat e një vendbanimi të vjetër ilir rreth shekullit IV p.e.s. Në shekullin II p.e.s amantët prenë monedhën e tyre me figurën e Apollonit. Skela e Orikut ka shërbyer si një qendër e rëndësishme detare dhe përmendet në luftën ndërmjet Filipit V të Maqedonise dhe Romës, në 214 p.e.s. Qyteti shërbeu si arenë luftrash midis Jul Qezarit dhe Pompeut. Në mesjetë e gjejmë me emrin Jeroika dhe përmendet si qendër e rëndësishme dhe si një liman tregtar.

Pisha flamur, brenda parkut, 900 m mbi nivelin e detit, me lartësi 15-20 m, diametër të trungut 75 cm dhe moshë 100 vjet. Ka marrë formën e flamurit, e goditur nga erërat e shumta të qafës. Vizitohet sipas rrugës, Dukat-Llogora-Palasë.
Shpella e Shëngjergjit, në malin e Çikës, afër fshatit Tërbaç. E formuar nga karsti, ka gjatësi 100 m dhe gjerësi e lartësi 3-4 m. Thuhet se kjo shpellë është përdorur nga mbretëresha Teuta e Ilirisë. Vizitohet sipas rrugës Vlorë-Kotë-Tërbaç, rruga këmbësore.
Shpella e shkruar e Lepenicës, afër fshatit Lepenicë, komuna Brataj. Ka formën e guvës dhe muret e saj gëlqerorë janë shkruar me vizatime të hershme të kohëve parahistorike. Vizitohet sipas rrugës Vlorë-Kotë-Lepenicë.
Shpella e Haxhi Alisë, në gadishullin e Karaburunit, midis kepave të Gjuhëzës dhe Gollovecit. 30 m e gjatë, 10-12 m e gjerë dhe po aq e lartë, emri i saj lidhet me detarin e dëgjuar Haxhi Alia. Vizitohet me varkë, që nga deti i Vlorës deri në Kepin e Gjuhëzës.

Loading...