Babai hedh dyshime të forta: “Nuk ka mundësi që djali im të ketë vrarë veten, me siguri dikush e ka qëlluar”

Dyshime të forta ngrihen për vdekjen e një djali të ri i cili u gjet i pajetë në banesën e prindërve të gruas së tij.

Arjan (Ari) Hoxha, ishte baba i katër fëmijëve dhe sipas Policisë së Shtetit, i dha fund jetës dy ditë më parë pas një sherri në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes së tij.

Ari Hoxha, humbi jetën në fshatin Plan Bardh të Klosit. Policia tha zyrtarisht se ai kishte nisur një konflikt me tone të ashpra në shtëpinë e familjes Ndoj, prindërit e të shoqes.

Policia tha se Hoxha vrau veten me një armë zjarri automatike të tipit “Kallashnikov” duke u vetëqëlluar me një plumb të vetëm.

“Arjan Hoxha është vetëvrarë me një plumb. Ai ka qëlluar vetën në gojë me një automatik ‘Kallashnikov’. Plaga ka tejshpuar kokën, duke e lënë të vdekur në vend. Në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune”, komunikohet nga grupi hetimor.

Por babai i të ndjerit, i tronditur dhe i tmerruar nga humbja e të birit në moshë aqë të re që la dhe katër fëmijë jetimë në moshë motake, thotë se kjo nuk është e vërtetë.

Për të, ka ndodhur një krim dhe dikush i ka marrë jetën e të birit.

“Nuk ka mundësi që djali im të ketë vrarë veten, me siguri dikush e ka qëlluar”.

Dyshimi i të atit, nuk gjen mbështetje nga policia.

Ajo thotë se Ari Hoxha kishte shkuar i armatosur te banesa e prindërve të gruas dhe shton se informacioni që dhanë banorët çoi policinë atje për të parandaluar krimin.

Por Ari Hoxha u gjet 150 metra larg banesës së familjarëve të gruas, i vdekur.

Policia tha se kur e gjeti të ndjerin, kishte në dorë një automatik dhe pranë iu gjet një unazë që mendohet se ia kishte hequr bashkëshortes pak minuta para se sa të vriste veten, një qese me duhan, celulari dhe sende të tjera personale.

Kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar policinë Klosit për debatin në familjen Ndoj dhe prania e uniformave blu, besohet se ka bërë që 31-vjeçari në largim e sipër të qëllojë veten.

Loading...