Kreu i Grupit Parlamentar socialist theksoi se “zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor dhe nuk e luan topi.”
Balla theksoi se dekreti i presidentit Ilir Meta nuk ekziston në Kushtetutë, ndaj data e zgjedhjeve nuk ka ndryshuar. Ai nuk kurseu as kritikat ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha.
“Luli i Saliut në krye të bashkisë së Tiranës do të mbahet mend vetëm se flinte gjumë. Një kokërr gjumashi që, edhe Ilir Meta, këto ditë është inatosur me të sepse tha ‘unë e bëra punën time, ai fle gjumë. Unë e anulova dekretin, ai fle gjumë.’ Pavarësisht se Iliri bëri një vrimë në ujë sepse ai ç’dekret nuk ekziston në Kushtetutë dhe sigurisht në 30 Qershor do të bëhen zgjedhjet”, ka deklaruar Balla.
Sipas Ballës, “nuk mund t’ja heqë të drejtën për të votuar shqiptarëve as Saliu me Lulin dhe as Iliri me Monikën.”
Ai paralajmëroi se mazhoranca do të vijojë me procedurat në Parlament për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i kreut të shtetit.
“Përpjekja e presidentit është antikushtetuese, është një akt politik aspak juridik dhe ne do t’i japim përgjigjen e merituar kujtdo shkelësi. Grupi Parlamentar i PS do të vijojë me procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta”, ka thënë Meta.
Për Taulant Ballën, sulmi politik ndaj Edi Ramës bëhet sepse është është politikani që ka mbështetje mbarëpopullore.
“Arsyeja pse i gjithë sulmi politik bëhet kundër kryeministrit, kundër Edi Ramës është pikërisht kjo mbështetje mbarëpopullore që Edi Rama ka në të gjithë Shqipërinë”, tha ai.