Balla: “Presidenti ka hall të çojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt”

I ashpër ka qenë në reagimin e tij kreu i Grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, ndërsa ka sulmuar presidentin Ilir Meta në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nga foltorja e Kuvendit Balla tha se qëllimi i Metës ka qenë që të çojë në KED 4 emra të propozuar për Kushtetuesen.

Balla akuzoi Presidentin se do të dërgojë në Kushtetuese një person të njohur për të që është bashkëjetuesja e ish-deputetit të PD Enkelejd Alibeaj. Ai i kërkoi që të heqë maskën dhe të flasë troç.

“Ky është një lajm i mirë për rrugën tonë europiane. Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç.

Presidenti nuk ka hallin e afatit, presidenti ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me 4 veta sepse ka parë që e katërta e renditur është një person që presidenti ka besim. E ka të njohur.

Presidenti ka hall të çojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt. Kjo është troç, lërini dënglat. Presidenti nuk ka hall as afatin kushtetues, as kritere, as të këndojë atë këngën ‘e kam unë e ke ti’.

Presidenti nuk ka të drejtë të bëjë të tretin. Të tretin e ka Gjykata e Lartë që do të thotë që ne duhet të presim, por ku parim zbatohet kur Kushtetuesja i ka të 9 anëtarët. Këtu nuk bëhet fjalë që kemi 9, këtu bëhet fjalë që kemi vetëm një dhe ky me mandat të përfunduar dhe kemi 8 vakanca”, deklaroi Balla.

Loading...