Balla: ‘Procesi i vetëpastrimit në polici sapo ka filluar, fijet me krimin po priten’

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi sot se nuk ka rrjedhje të të dhënave nga sistemi TIMS. Në një komunikim me mediat pas mbledhjes së qeverisë, Balla tha se e vërteta është se një ekip i ri brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nga qershori ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit në aspektin teknik dhe të sigurisë.

Balla ka folur dhe për një proces vetëpastrimi të Policisë së Shtetit nga personat e lidhur me krimin.

Pas ngjarjeve të bujshme, problematike të verës, a mund të garantoni se çdo fije krimi në polici është prerë tashmë?

Procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit sapo ka filluar dhe si i tillë unë nuk jam këtu që brenda 40 ditëve të them se unë ia kam arritur qëllimit ta pastroj plotësisht, por kam thënë që po punoj çdo ditë në bashkëveprim me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese dhe kam marrë garancitë e të gjitha institucioneve që këtë proces vetëpastrimi ta kryejmë në një kohë sa më të shkurtër, por mos harroni që ky është një proces i vazhdueshëm. Por punonjës policie të cilët tradhtojnë nga brenda strukturës së policisë aksione të policisë do të jenë në zhdukje.

Fijet që lidhin nga brenda policisë së shtetit punonjës të caktuar të policisë së shtetit me organizatat kriminale apo me tradhtimin e aksioneve të policisë do vazhdojnë të priten ditë pas dite. Është e vërtetë që në Shqipëri brenda Policisë së Shtetit është trashëguar një kancer që ka çuar dhe në humbjen e jetës së punonjësve të policisë…të gjithë e mbajnë mend 7 gushtin e 2009 kur 4 punonjës të policisë së Shtetit u vranë për shkak të rrjedhjes së informacionit. Kjo është një përpjekje që duhet të intensifikohet. E vërteta është që vetëpastrimi në Policinë e Shtetit po jep rezultate. Gjatë gushtit kemi pasur 3 punonjës policie të arrestuar pas hetimeve nga AMP. Kemi plot hetime të tjera në proces dhe për disa shqetësime të ngritura në publik, ku çdo lloj forme dhe çdo lloj aksesi i një punonjësi policie në rrjete të caktuara ose në komunikime të caktuara me elementë kriminalë është thyerje e rëndë e kodit etik pa hyrë në parashikimet e kodit penal.

Kodi etik dhe pse ishte aty prej vitesh kishte shumë vite që nuk zbatohej siç duhej. Sot kodi etik është në hyrje të çdo komisariati dhe drejtorie. Nuk do tolerohet asnjë punonjës policie për thyerje të çdo pike të atij kodi. Gjatë korrikut kemi pasur një rast, kur një prej pikave të kodit etik është thyer dhe punonjësi nuk është më pjesë e organizatës së policisë së Shtetit.

A është funksional sistemi TIMS në çdo pikë kufitare? Në qoftë se fakti nuk ka ndodhur, pse ka shkuar në prokurori çështja?

Shqipëria është sulmuar nga një sulm kibernetik në verën e vitit 2022 dhe nga ai moment natyrshëm që të gjitha institucionet po marrin masa për të rritur digat mbrojtëse nga çdo lloj forme e sulmeve kibernetike. Nuk jemi i vetmi vend. SHBA-të kanë asgjësuar një prej bandave, hakerave më të mëdhenj. Nuk ekziston asnjë prej atyre shqetësimeve që gjoja ka pasur rrjedhje të të dhënave nga sistemi TIMS. E vërteta është që ndërsa një ekip i ri brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nga qershori ka marrë përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit në aspektin teknik dhe të sigurisë, natyrshëm ndodh që ata janë larguar mund të kenë kritika dhe ankesa, mund të ngrenë dhe dyshime për punën që bëjnë ata që kanë marrë përsipër të bëjnë këto ndryshime. Dua të garantoj çdo qytetar se asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur dhe nuk ka pasur asnjë problematikë.

Nuk është e vërtetë që ka një kallëzim, por unë kam kërkuar që të dhënat që ka disponuar AMP të vlerësohen dhe nga ana e Prokurorisë nëse ka ndonjë element. Ky është një standard i ri që do të vendoset në të gjitha strukturat e varësisë ku unë kam nderin të drejtoj.

Dhe unë jam informuar sikurse është informuar SPAK nga punonjës të caktuar që kishin ngritur këtë shqetësim. Besoj se ky standard i ri do të respektohet.

Loading...