Familjet që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, të cilat po zhvendosen në banesa sociale mund të banojnë në to pa afat.
Lajmin e mirë e dha dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi vizitoi një nga familjet e sistemuara në banesa sociale. Ai siguroi se kushdo që do të pranojë të zhvendoset në banesa sociale, do mund t’i përdorë ato pa kufizim.
Veliaj tha se “mjafton që këto familje të bëjnë një kontratë me bashkinë e Tiranës dhe mund të jetojnë në këto banesa komode, të mobiluara dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme shtëpiake”.
Bashkia e Tiranës i ka pajisur banesat sociale me të gjitha kushtet dhe lehtësirat për një jetesë sa më të mirë.
Ndërkohë, për të gjitha familjet e tjera që parapëlqejnë një zgjidhje tjetër, bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion edhe bonusin e qirasë për 3 vite. Banorët mund të zgjedhin vetë shtëpinë ku duan të banojnë dhe qeraja u paguhet nga bashkia./ATSH