Ka nisur edhe sot, protesta e banorëve të Unazës së re, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e projektit të “Unazës së Madhe” që prek banesat e tyre.
Edhe sot banorët kanë bllokuar rrugën kryesore, ndërsa me thirrje dhe pankarta në duar kërkojnë anulim të projektit dhe largim të kryeministrit, Edi Rama. Nga protesta, një nga banorët komentoi edhe vizitën e kryeministri Rama në Kukës, ndërsa nuk kurseu edhe akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Shkon sot dhe mburret me një aeroport që është sot e 20 vjet i dhuruar nga Emiratet Arabe. Normal që një mikpritje të tillë mund t’i rezervonte Kukësi. “Rama ik, Rama ik”.
Banorët e Unazës së Re mbështesin të drejtën e studentëve. Ai e ka mendjen vetëm të pushtojë toka dhe t’i kthejë në kulla. Mos tërhiqeni nga e drejta juaj, përsa i përket gjendjes së Unazës së Re dhe situatës.
Nuk pranojmë të dhunohemi as nga kjo polici, as nga askush. Ta harroni kushdo që kalon përmbi këta qytetarë. Ky është qëllimi i ministrit Lleshi të na fusë në konflikt me njëri-tjetrin.
E vetmja mënyrë për ta shuajtur këtë protestë, është anulimi i këtij projekti. Forma të tjera arrestime, burgosje, nuk i njohim.
Do t’i mbrojmë shtëpitë e Unazës së Re. Ju bëj thirrje të lironi Dorjan Protuduarin, një njeri i ndershëm që i ka dhënë forcë kësaj protestë.”- shprehet një nga banorët.