Banori me probleme mendore ‘terrorizon’ fëmijët: ‘Do të vij në 2 të natës te shtëpia, do të mbys, do të marr zvarrë’

Disa banorë në një lagje të Bashkisë Dimal, ose Urës Vajgurore, iu drejtuan emisionit “Stop” në Tv Klan për ndihmë, pasi fqinji i tyre, një burrë 54-vjeçar, po i shqetësonte dhe po kërcënonte fëmijët se do t’i vriste, ose do t’i mbyste.

Rasti i 8-vjeçarit në Fier, i cili u masakrua prej fqinjit, ka bërë, që qytetarët të sensibilizohen për këtë rrezik. 54-vjeçari, i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve, jeton vetëm me të ëmën, pasi familja e braktisi për shkak të dhunës. Prej së paku 10 vitesh, ai ka shfaqur shenja të çrregullimeve të shëndetit mendor.

Gazetari: Fëmijët nuk luajnë fare këtu?

Banorja: Po kemi frikë se çfarë do të ndodhë, mos dil përjashta i them unë fëmijës se kam frikë se të del e të vret.

Fëmija: Ne kur dalim aty na bërtet, thotë fjalë të pista e na shan. Na kërcënon duke thënë se do të të vras. Ndihem i frikësuar.

Banori: Nuk dimë se çfarë do të bëhet nesër, ai ka nevojë për ndihmë.

Fëmijët: Mua më thotë mos luaj aty, na çmend, vetëm kur luaj aty me top më ngacmon. Më bërtet. Kur ai na bërtet, largohemi.

Gjatë emisionit u publikua videoja kur 54-vjeçari është regjistruar në një bisedë e sipër teksa shan dhe kërcënon ju dyshohet se iu drejtohet fëmijëve të kësaj lagjeje.

54–vjeçari: Mos e shqep më gojën. More vesh? Do të të vij në 2 të natës te shtëpia me dhunë dhe do të çoj mu në lumë. Do të të mbys, do të të marr zvarrë. Mos e zgjat fare. Do të hap atë rënën do të të fus brenda, komplet siç je

Emisioni “Stop” e referoi këtë rast në Komisariatin e Policisë Dimal, duke bërë një kallëzim.

Në polici thanë, se ishin në dijeni të këtij rasti, por nuk kishin denoncim zyrtar. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, u mor prej mjekut të lagjes rekomandimi, për ta dërguar 54-vjeçarin pranë mjekut psikiatër në Spitalin e Beratit, ku konkluduan se ai vuan nga skizofrenia. Më pas, personi në fjalë u transferua për mjekim në Spitalin Psikiatrik të Vlorës.

Gazetari: Ju kanë marrë ndonjëherë në telefon, që ky person…?

Polici: Për fëmijë, jo. Për shqetësim në lagje, po. Ka vajtur policia, e ka qetësuar.

Gazetari: E zëmë sikur po e sjell unë për herë të parë si gazetar, si do të veproni ju tani dhe në vazhdim, për ta trajtuar si problem?

Polici: Në momentin, që vjen dikush, që të paraqesë një shqetësim, deklarimi merret me shkrim, sepse nuk mund ta marr unë dot në ajër.

Gazetari: E bëj unë me firmë denoncimin, unë si gazetar, meqenëse ndoshta, banorët nuk e kanë guximin. / Tv Klan

Loading...