Basha i bëri apel edhe kryeministrit Edi Rama që masat e marra të mos i publikojë në “Facebook”, por si e kërkon rregulli i parashikuar në Kushtetutën e Republikës.
Gjithashtu, kreu i PD iu kërkoi qytetarëve që të tregohen të sinqertë me mjekët dhe infermierët, pasi sipas tij, nuk e kemi luksin që të fusim mjekë në karantinë në këto ditë të vështira të përhapjes së koronavirusit.
“Apeli im për qytetarët është zbatimi rigoroz i rregullave në fuqi. Për qeverinë është botimi i këtyre rregullave jo në facebook, por siç e kërkon Kushtetuta e Republikës. Këto janë detyrime ligjore. Gjithcka është e rregulluar me ligj, duhet zbatuar në ligj, dhe qytetarët do jenë më të qartë. Masat duhet medoemos të respektohen. Këto kufizime ekstreme janë të domosdoshme për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Është gjëja më e gabuar, e kanë thënë dhe ekspertët, që virusi po përhaphet dhe ne kemi në dorë ta ngadalësojmë, përmes këtyre masave.
Është shumë i rëndësishëm dhe sinqeriteti me mjekët. Nuk kemi luksin të fusim mjekë e infermierë në karantinë. Qytetarët të mendojnë si për prindërit dhe fëmijët e tyre, kur janë tërësdisht transparent. Kështu duhet të jenë edhe me mjekët. Qeveria nuk duhet të lërë pas dore detyrat e saj. Pajisjet respiratore duhet të vijnë sa më shpejt në Shqipëri. Fronti ekonomik nuk pret më, ekonomia ka qenë e brishtë, e drobitur, edhe pas tërmetit. Prandaj ka nevojë të veprohet menjëherë”, deklaroi Basha.