Basha apel Ramës: Hap spitalet rajonale, pandemia nuk luftohet pa plan

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka asnjë plan për të luftuar pandeminë.

Duke folur për media, Basha tha se nuk do ta bënte kurrë që të përdorte këtë situatë të vështirë për kundërshtarin politik, por sipas tij, pandemia nuk mposhtet dot pa një plan.
Sipas tij, qeveria duhet të hapë urgjentisht spitalet rajonale për t’i vënë në funksion të pandemisë së Covid-19, si dhe të bëjë një numër të saktë testimesh, në raport me infektimet.
“Është e qartë që Rama ka dështuar me planin e pandemisë. Pa plan nuk e lufton dot pandeminë dhe nuk e mposht dot pandeminë për të shpëtuar jetë njerëzish.

Kjo ka qenë thirrja ime, një plan serioz për pandeminë, që nis me një numër të saktë testimesh, me pajisjen e spitaleve me pajisje, mjekë e infermierë.

Nuk ka zgjidhje tjetër, përvec vënies së spitaleve rajonale në funksion të kësaj beteje. Nëse spitalet rajonale do të ishin përgatitur nuk do të ishim në këtë gjendje kolapsi, që jemi sot.

Ne jemi të gjithë dëshmitarë të fatkeqësisë. Është e domosdoshme të veprohet urgjentisht me një plan dhe jo kuturu. Pandemia nuk luftohet pa plan.

Dje kryeministri tha se shkollat nuk janë vatra, sot u vendos mbyllja e pjesshme e tyre.

Duhet një qeveri e përgjegjshme, që lë gjithçka për të luftuar pandeminë. Mirëpres cdo lloj reflektimi.

S’më shkon mendja kurrë që këto momente të vështira të kem parasysh kundërshtarin politik. Sa jetë do ishin shpëtuar, nëse do ishin marrë masa.

Qeveria dhe Edi Rama nuk kanë plan, dhe pikërisht kjo më shqetëson sot”, tha Basha.

Loading...