Basha: Arrestimi i Fatos Tushës, pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD

Operacioni i SPAK në Lushnjë ka sjellë reagime nga politika.

Basha: Arrestimi i Fatos Tushës, pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me arrestimet e SPAK në Lushnjë.

Ai shprehet se kryetari i bashkisë Lushnjë, Tusha u arrestua pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD.

“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kurajoja dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi”, shprehet Basha.

Vasili: SPAK ka probleme me “shikimin”

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili reagoi për operacionin e SPAK në Lushnjë duke u shprehur se “SPAK ka probleme me “shikimin””.

“SPAK ka sy shumë “të mprehtë” dhe shikon deri larg, deri në Lushnjën e Tushes së Bashkisë, por Edi Ramën dhe Erion Veliajn nuk i sheh dot se i ka shumë afër. SPAK është “sëmurë”, SPAK nuk shikon nga afër, por vetëm larg. SPAK duhet çuar tek okulisti, që të rregullojë shikimin dhe të ndërrojë gjyslyket për të parë edhe nga afër, megjithëse Teatrin e shohin edhe të verbrit”, tha Vasili./atsh

Loading...