Basha: “Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare, ndaj protestojmë të shtunën”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka hedhur akuza mbi policinë e shtetit duke thënë se nuk ka bërë detyrën.

“Në vend s’ka rend publik e siguri, policia është kthyer në një bandë që e ka lënë të lirë krimin dhe po dhunon në mënyrë shtazarake qytetarët.

Dje policia hyri brenda banesave te Bregu i Lumit dhe hodhi gaz lotsjellës brenda shtëpive ku ishin edhe fëmijë të mitur.

Tre qytetarë shkuan me fraktura në spital, 10 qytetarë u shoqëruan. Polica po përdoret vetëm për një qëllim, luftë kundër popullit dhe njerëzve të pafajshëm që mbrojnë shtëpitë e tyre”,- tha ai.

“Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë po trondisin sigurinë mes qyteteve tona. Kur në Rinas që është zona me sigurinë më të lartë grabitet avioni i linjës ndërkombëtare në mes të ditës, çdo kush e kupton se në çfarë niveli është policia e në çfarë niveli është katandisur siguria.

Kjo ndodh se shteti ka rënë. Arsyeja kryesore e rënies së shtetit është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime. Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare, ndaj protestojmë të shtunën”,- shtoi më pas Basha.

Loading...