Basha flet për ngjarjen në Elbasan: Bandat dhe shitblerja e votave nuk do na ndalin

Nga Durrësit kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se refuzojnë dhunën. Basha nuk përmendi ngjarjen në Elbasan, ku mbeti i vrarë aktivisti i PS, Pjerin Xhuvani, por theksoi se nuk ka shitblerje votash që e ndal ndryshimin.

Kreu i demokratëve deklaroi se ata e mbrojnë me çdo çmim demokracinë. “Nuk ka forcë, banda dhe shitblerje votash te na ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por ne do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim. Fitorja ka zbritur në zemrat tuaja,” deklaroi Basha.

Para qindra mbështetësve Basha tha se e diela është dita e fitores, duke i cilësuar tetë vitet e qeverisë Rama si dështim. Kreu i PD, thotë se ditët e fundit Rama është vërsulur me marifete të vjetra, por sipas tij e ka kot.
“Dita e diel është dita e ndryshimit, është dita e fitores. Fitorja më e bukur dhe më e çmuar, do t’i takojë të gjithë shqiptarëve. Qeveria e ndryshimit që do të sillni me votën tuaj për numrin 9 do ti takojë çdo shqiptari.

Tetë vite të gjata dhe të vështira, plot dështime me premtime të pambajtura edhe tre ditë për të vendosur. Bashkë për ndryshim. Të dielën Rama humb dhe Shqipëria fiton. Ndal bandave dhe shitblerjes së votave. Po e mbyll këtë mbrëmje në Durrësin e lashtësisë dhe vlerave. Ditëve të fundit i është vërsulur me marifetet e vjetra por e ka kot. Shikojeni fuqinë, energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen,” deklaroi Basha.

Loading...