Basha: “Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit”

Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë kanë vendosur të thërrasin protestën e gjashtë kombëtare më 25 maj, në orën 19:00.

Pasi diskutoi me aleatët e tij, Grupin Parlamentar dhe kryesinë e PD-së, Basha deklaroi se përballja është rruga e vetme që opozita do të ndjekë në situatën e një grushti shteti të krijuar nga shumica.

“Me kryetarët e koalicionit opozitar kemi shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Pyetja është, tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qendrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera tiraninë e krimit! Vendimi unanim i opozitës është përballje popullore me të gjitha format dhe mënyrat, në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet, deri sa të diktojmë kthimin te demokracia, kthimin te zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha.

Sipas kreut të PD-së, nëse opozita dhe qytetarët do të tërhiqen përballë situatës së krijuar nga qeveria vendi do të kthehet në një juntë kriminale.

“Asgjë nuk mund të kursehet në këtë betejë. Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit, sepse skenari tjetër është që Shqipëria, përfundimisht, të bjerë si demokraci, të bjerë si shtet i së drejtës dhe të kthehet, edhe de jure, në juntë kriminale. Natyrisht, ne këtë skenar nuk mund ta lejojmë. Ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë, dhe jam i bindur se me gjithë shqiptarët e ndershëm betejën do ta vazhdojmë ditë për ditë, duke e intensifikuar dhe duke e ngritur çdo ditë e më lart, derisa ta mposhtim këtë skenar ogurzi. Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Basha të jetë komandant i zemërimit popullor. Zemërimi popullor vetëm do të rritet”, sqaroi Basha.

AKUZAT

Kryedemokrati ngriti akuza të forta edhe për shumë prej kandidatëve të PS-së për zgjedhjet vendore. Sipas Bashës, emrat janë të diktuar nga krimi, ndërkohë që përfaqësuesit e partisë së drejtuar nga ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, i cilësoi si përfaqësues të Bashkimeve Profesionale të Partisë Socialiste.

“Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij dhe në partitë e tjera të krijuara nga ai, për të dhënë fasadën e zgjedhjeve. Në mbi gjysmën e bashkive të vendit do të ketë kandidatë vetëm kupola kriminale e ‘Rilindjes’, vrasës, përdhunues, trafikantë droge, shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS-së, të dy janë përcaktuar nga Ymer Lala. E dinë të gjithë dibranët. I pari është kandidati fillestar, që Ymer Lala caktoi dhe pastaj e tërhoqi, dhe është një nga protagonistët e dosjes 184, i dyti, ish-sekretari i PD-së së Dibrës, i evidentuar, për fat të keq, edhe si njeriu i blerë i Ymer Lalës, dhe për këtë arsye edhe i shkarkuar nga funksionet e tij në degën e Partisë Demokratike. Shqiptarëve do t’u ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vetë nuk garoi dot, se është duke negociuar si do t’u shpëtojë hetimeve me Edi Ramën dhe ka caktuar se kush do të garojë”, tha kreu i PD-së.

Duke iu referuar shkrimit të gazetës gjermane “BILD” për Shqipërinë, Basha tha se në përgjimet e dosjes 184 është kapur edhe vetë Edi Rama. Kreu i PD-së akuzoi ministren Spiropali dhe deputeten e PSsë Gjylameti si të përfshira në dosje të drogës në Shqipëri. “Zonja Gjylameti do të ishte së bashku me zonjën Spiropali dhe zonja të tjera, ndër të pandehurit kryesorë, sepse vetë zonja Gjylameti është pjesë e dosjes 184, ndërkohë që zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së hetimit të Xibrakës. Kështu që njerëzit në konflikt interesi nuk mund të përbëjnë asnjë burim të besueshëm, as për median, as për qytetarët”, tha Basha.

Loading...