Basha: “Ky është shtet pirat, është shteti bandit”

Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar fermerët e Devollit sot ku ka shpjeguar skemën e subvencioneve të PD duke theksuar se synimi është të zerohet kostoja e prodhimit për fermerët.

“Ne kemi planin dhe vullnetin për të realizuar planin për bujqësinë dhe skemën e subvencioneve direkte për fermerët, qeveria e sotme nuk do t’ia dijë për ju”, deklaroi Basha.

Kreu i PD tha se do implementohet sistemi i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Subvencioni funksionon në këtë mënyrë; nga kosto e prodhimit, qoftë patatja, qoftë qepa, molla, domatet, bostan, mish, bulmet, juve t’ju mbetet vetëm kosto e krahut të punës.

Pra, shuma e parave që destinohet për prodhimin që ju sillni në treg nga shteti, shteti iu paguan aq para sa të çojë në zerimin e kësaj kosto. Ky pra është qëllimi i mbështetjes tonë direkte për fermerët. Këtë bën sot Kosova. Kosova ka një listë dhe thotë: nëse dorëzon kaq tonë speca, do të marrësh kaq mijë euro. Nëse dorëzon kaq tonë spinaq apo mollë, do të marrësh kaq mijë euro. Gjithçka është e parashpallur, transparente.
Me planin tonë fermeri duhet të bëjë dy gjëra; E para e punës të certifikohet sasia e prodhimit që ka; dhe e dyta të certifikohet që ka cilësinë minimale pë rtë hyrë në treg.
Me certifikimin e tyre menjëherë fermeri përfiton për çdo kuintal prodhim dhe në funksion të kësaj do të buxhetohet çdo vit nga buxheti ynë që në vitin e parë 100 milionë euro nga buxheti i shtetit. 100 milionë euro vetëm për mbështetje direkte për fermerin.

Nuk do të mbështetën prodhime kuturu, por ato që sjellin një vlerë të shtuar. Gjithçka do të bëhet digjitale pa pasur nevojë të shkoni tek zyra, do të eliminohet e gjitha kjo. Avantazhi i digjitalizimit me një kartë, me një cip mund të shmangim hallkat që bëjnë korrupsioni dhe gjithçka të vërtetohet siç është.

Dy gjëra: E para, një tabelë e shpallur, transparente vit për vit e subvencionit që do të jetë për prodhim për të gjithë fermerët, pa dysheme, pa tavan. Kjo që po ju them nuk është as ëndërr dhe as që e bëjnë vendet më të pasura, këtë e bën Kosova. Do marrim sistemin e Kosovës, sistemin e Maqedonisë së Veriut.

Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjithë fermerët duke shmangur mundësitë për abuzime dhe korrupsion. Problemi është vëmendja, vullneti”, deklaroi Basha.

Nga ana tjetër fermerët janë ankuar për kostot e prodhimit. Ata kanë deklaruar se nuk kanë marrë as vjet e as sivjet asnjë lek subvencione. Po kështu fermerët ngritën problemin e përdorimit të traktorëve me 20 kuaj fuqi sepse nuk i lejon policia.

Basha tha se “ky është shtet pirat, është shteti bandit”. “Këta kanë ngritur lloj-lloj kurthesh, lloj-lloj trarësh. Sepse po vure traun aty pastaj ka edhe korrupsion, sepse thotë: më jep ryshfetin mua ta ngre traun”, u shpreh kreu i PD.

Loading...