Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër kreut të OBSH-së në Tiranë, Raul Gonzalez, ku i kërkon që t’iu vijë në ndihmë autoriteteve shqiptare për marrjen e sa më shumë pajisjeve testuese për qytetarët.
Mes të tjerash, lideri demokrat i ka shprehur mirënjohjen e tij dhe ka vlerësuar përkrahjen për përballimin e deritanishëm të situatës së shkaktuar nga Covid-19.
“I nderuar Dr. Gonzalez, Fillimisht më lejoni që, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Opozitës së Bashkuar, t’Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për punën intensive dhe mbështetjen që keni dhënë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe, ku Shqipëria zyrtarisht është vend i prekur nga përhapja e virusit COVID-19. Ndihma dhe përkrahja juaj për autoritetet shtetërore ka qenë thelbësore për përballimin e deritanishëm të situatës. Shpreh bindjen se kjo mbështetje do të jetë e vazhdueshme dhe për këtë dua t’Ju falenderoj në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi. Partia Demokratike po ndjek nga afër situatën e krijuar dhe menaxhimin e saj nga autoritetet shtetërore. Me shumë shqetësim marrim çdo ditë me qindra mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, që shprehen se kanë shfaqur të gjitha shenjat e ngjashme që të bëjnë të dyshosh se janë të prekur nga visusi COVID-19, që telefonojnë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës në numrin 127 për të kërkuar ndihmë dhe për t’ju mundësuar testimin, por që e kanë patur të pamundur realizimin e tij. Vetë Qeveria ka raportuar se janë rreth 120 mijë qytetarë që janë nën regjimin “Karantinë e detyrueshme”, pra persona që kanë potencial të lartë që mund të jenë prekur nga virusi.”
Në letrën e tij, Basha shkruan se duke filluar nga data 11 mars 2020, numri i raportuar për testime nga autoritetet shtetërore vjen në rënie. Sipas tij, kjo është shkaktuar nga mungesa e pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të materialeve të tjera testuese.
“Duke qenë të ndërgjegjshëm për mundësitë e pakta që kanë autoritetet tona për ta përballuar të vetëm këtë situatë, si dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi komunikimi, dëshiroj t’Ju kërkoj që të ndihmoni autoritetet shqiptare dhe Shqipërinë me sa mundeni, për marrjen e sa më shumë pajisjeve testuese, të kiteve testuese dhe të tjerave materiale testuese. Vetëm duke shtuar numrin e testimeve dhe duke verifikuar në kohë çdo person të dyshuar si të prekur nga virusi, ne arrijmë të izolojmë personin në kohë dhe të frenojmë përhapjen e virusit në numër më të lartë qytetarësh.”
Po ashtu, kreu i PD-së kërkoi ndihmë për sigurimin e një sasie të konsiderueshme vjeshjesh dhe pajisjeve mbrojtëse të tjera të domosdoshme për të mbrojtur stafet tona mjekësore.
“Gjithashtu, stafet mjekësore janë të ekspozuar nga infektimi me virusin COVID-19. Për këtë arsye, do të ishim shumë mirënjohës nëse do të ndihmonit në sigurimin e një sasie të konsiderueshme vjeshjesh dhe pajisjeve mbrojtëse të tjera të domosdoshme për të mbrojtur stafet tona mjekësore. Me bindjen se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe përfaqësia e saj në Shqipëri, do të vazhdojë të japë një mbështetje të fuqishme për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë, me lejoni të shpreh konsideratën time më të lartë për punën tuaj të jashtëzakonshme.”