Basha: “Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është pozicioni politik i opozitës”

Kryedemokrati Lulzim Basha komentoi deklaratat e kryetaresë së LSI, Monika Kryemadhi, aleate e tij në opozitë, se është e gatshme të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër.

Basha solli në vëmendje dokumentin e firmosur me aleatët rreth 7 muaj më parë, dhe theksoi se prej tyre nuk ka asnjë kërkesë tjeter përvec qëndrimit në unision që opozita e bashkuar ka vendosur.

“Intervistat gazetareske janë një gjë, qëndrimet politike janë një gjë tjetër. Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë aleat që ne të rishikojmë qëndrimin tonë politik. Dhe sot qëndrimi ynë politik ka avancuar më tej me popozimin që kemi bërë për reformën zgjedhore.”- tah Basha në emisionin “Kjo Javë”.

Pjesë nga intervista:
Pyetje: Në daljen e fundit për media, ju u shprehët se “zoti Rama dështoi në zgjidhjen e krizës”. Dështoi në çfarë? Kishte njëfarë negocimi për ta zgjidhur këtë krizë dhe diçka nuk shkoi mirë, diçka dështoi?

Lulzim Basha: Padyshim. Dihet mirë që ka pasur një ofertë të qartë nga partnerët ndërkombëtarë për ta zgjidhur krizën. Por edhe atëherë Edi Rama vuri interesat e veta, interesat e Valdrin Pjetrit, Kajmakut, Babanit, Tom Doshit, Vangjush Dakos, Avdylajve, mbi interesat e qytetarëve shqiptarë dhe procedoi me një proçes monist, fals dhe kriminal, për kapjen me dhunë të pushtetit vendor, në vend që të dëgjonte këshillën e miqve tanë dhe t’i hapte rrugë një procesi politik që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve me standarde dhe të rivendosjes së demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës, në vend të demokracisë false, parlamentit fals, zgjedhjeve të kapura dhe shtetit të kapur nga krimi.

Pyetje: Pra bëhet fjalë për zgjidhje të krizës me sytë nga ndërkombëtarët, jo për ta zgjidhur nga brenda vendit ashtu siç në fakt ata gjithmonë kanë artikuluar?

Lulzim Basha: Padyshim që zgjidhja kërkon vullnetin e palëve. Nuk ka zgjidhje që vjen nga jashtë, por roli i faktorit ndërkombëtar ka qënë dhe është përcaktues për të ndihmuar në arritjen e kësaj zgjidhje. Aq më shumë në kushtet kur ka një mungesë totale besimi mes palëve, jo për shkakun tonë por për faktin se Edi Rama ka provuar se me marrëveshjet që u bënë për të zgjidhur krizën e vitit 2017-të, jo vetëm nuk i respektoi por i përdori për të fshehur një tjetër batërdi, siç ishte vjedhja e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, që tashmë është provuar edhe nga prokuroria përmes çeshtjes penale 339 dhe përgjimeve të publikuara nga Bild.

Pyetje: Zoti Basha do t’ju drejtoj një pyetje, por ju lutem një përgjigje shumë të drejtëpërdrejtë, sepse është në fakt ajo që të gjithë edhe kuriozohen: Është kryetarja e LSI, zonja Kryemadhi, e cila artikulon qartë se “nuk e ka problem dialogun apo zgjedhjet me Edi Ramën kryeministër”, ndërkohë që për ju ky vazhdon të jetë, apo jo, kushti i panegociueshëm se “nuk shkohet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. A hyn zoti Lulzim Basha në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Detyra ime si kryetar i opozitës të garantoj që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të pandikuar nga krimi i organizuar. Të pafrikësuar se nesër ata apo kushërinjtë apo familjarët e tyre mund të humbin vendet e punës, nëse nuk votojnë për partinë në pushtet. Që të arrijnë në qendrat e votimit pa i ndaluar policia me postblloqe, siç ndodhi, siç e dëgjoi gjithë bota, në zgjedhjet e 2016-ës. Që mediat të jenë të lira e të japin një raportim të balancuar, mos të jenë të kërcënuara, të blera apo të shantazhuara nga kryeministri. Opozita e bashkuar ka një platformë për ta arritur këtë dhe pjesë e kësaj padyshim është vullneti politik. Ne kemi propozuar një zgjidhje, një qeveri tranzitore që garanton zbatimin e rregullave ekzistuese dhe çfarëdo rregullash shtesë mund të nevojiten sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Pyetje: Kjo qeveri tranzitore është pa Edi Ramën?

Lulzim Basha: Pa diskutim. Ky është propozimi ynë. Ky është kontributi ynë për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pyetja shtrohet a ka një propozim tjetër? A ka një rrugë tjetër për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme? Nuk kemi dëgjuar asgjë, aq më pak bindëse, se ka edhe një rrugë tjetër për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Pyetje: Ju si kryetar i opozitës, si e lexoni Monika Kryemadhin, kur thotë që ulem me Ramën…?

Lulzim Basha: Nuk ka nevojë ta lexoj fare zonjën Kryemadhi dhe asnjë nga aleatët, sepse opozita e bashkuar ka një dokument politik të miratuar nga forumet më të larta, i cili përbën qëndrimin zyrtar të opozitës.

Pyetje: Pra nuk ka ndryshim nga ana e LSI-së?

Lulzim Basha: Siç jua ka konfirmuar edhe kryetarja e LSI, nuk ka asnjë ndryshim.

Pyetje: Po kjo është e artikuluar qartë se “ne shkojmë me Edi Ramën kryeministër…”?

Lulzim Basha: Edhe njëherë po ju them. Ka një dokument politik i cili përcakton rrugën se si shkohet drejt zgjdhjeve. Ky është propozimi ynë. A shkohet në zgjedhje, a ka garanci se një njeri që u provua 3 herë që vjedh votat edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë, që angazhon krimin edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që kandidon persona me rekorde kriminale edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! Që shtantazhon administratën edhe kur nuk ka kundërshtar politik përballë! A mund të garantojë një proces zgjedhor me rregullat ekzistuese apo të ndryshuara? Përgjigja e opozitës së bashkuar është: Jo. Me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është pozicioni politik i opozitës.

Pyetje: A ka patur debate mes jush lidhur me këtë, për gjithmonë të artikuluarin kusht të panegociueshëm për të mos qënë Edi Rama kryeministër për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme?

Lulzim Basha: Ky dokument është hartuar të paktën 7 apo 8 muaj më parë dhe përbën një qëndrim politik.

Pyetje: Po por ka ndryshuar gjuha..

Lulzim Basha: Jo. Intervistat gazetareske janë një gjë, qëndrimet politike janë një gjë tjetër. Nuk kam pasur asnjë kërkesë nga asnjë aleat që ne të rishikojmë qëndrimin tonë politik. Dhe sot qëndrimi ynë politik ka avancuar më tej me popozimin që kemi bërë për reformën zgjedhore.

Pyetje: Pra ky kusht vazhdon të jetë për ju dhe për Partinë Demokratike?

Lulzim Basha: Është një qëndrim i rakorduar i Opozitës së Bashkuar. Shikoni, ka mënyra të ndryshme se si mund t’i qasemi politikës dhe në tërësi, për fat të keq, Shqipëria në këto 30 vite ka pasur një përqasje tipike ballkanike, ku çfarë thuhet në mëngjes, nuk thuhet në darkë. Për të mirë apo për të keq, nën drejtimin tim, besoj për të mirë, opozita ka një përqasje tjetër, koherente dhe konstante. Këtë që themi, asaj i qëndrojmë. Të tjerat pastaj i gjykoj se janë oshilacione gazetareske për të gjuajtur apo tregtuar lajmin e ditës. Opozita është në unison dhe e qëndrueshme në pozicionet politike që ka përcaktuar. Për më shumë, koha na ka dhënë të drejtë. Vendi ka ardhur në këtë krizë ekonomike, me papunësi, me varfëri, me koston e jetës të papërballueshme. Sot, po të shohim statistikat zyrtare, shohim se më shumë se gjysma e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin. Pra, nuk ka asgjë që është përmirësuar në këtë situatë, që të na bëjë ne që të rishikojmë pozicionin tonë sa i përket rrugëdaljes nga kriza. Gjërat kanë shkuar më keq dhe nëqoftëse do të vazhdojë kështu, akoma më keq do të shkojnë. Prandaj, nuk ka kohë për të humbur me persiatje dhe dilema të kota, e vetmja mënyrë për te ndryshuar situatën, është dhënia fund krizës politike, rikthimi i mandatit tek qytetarët shqiptarë të cilët të vendosin me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne kemi një vizion, me një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, si kriza e të gjjthë krizave, dhe duam që qytetarët shqiptarë të votojnë për këtë plan apo çfarëdo vizioni tjetër që mund t’u paraqitet, te pandikuar nga krimi i organizuar, te pa frikësuar se nesër mund t’ju vjelin taksidarët, inspektorët, policët, në bizneset e tyre private apo mund të largohen nga puna në administratë, të votojnë si qytetarë europianë.

Pyetje: Kërkuat nga strukturat te përgatiten për zgjedhje dhe u lexua si nje sinjal që po shkohej drejt zgjidhjes së krizës politike dhe këtu lind pyetja; A kishte diçka konkrete? Une dua t’ju pyes sepse përgjatë kësaj interviste që po zhvillojmë bashkë keni artikuluar 3 herë, zgjedhje parlamentare dhe lokale te parakohshme në të njëjtën ditë. Mendoni se ështe e realizueshme kjo z.Basha kur kryeministri Rama flet për zgjedhje vetëm në 2021-shin?

Lulzim Basha: Vendi është në krizë të thellë dhe kriza ka nevojë per zgjidhje. Po të jetë për Edi Ramën, mund të mos bëjë zgjidhje edhe deri në 2121-shin. Por nuk është as dëshira dhe as mungesa e vullnetit të Edi Ramës ajo që do te diktojë daljen e Shqipërisë nga kriza. Daljen e Shqipërisë nga kriza do ta diktojë vullneti i përbashkët i shumicës dërrmuese te shqiptarëve dhe i mbështetësve tanë, i partnerëve ndërkombëtarë, të cilët para një jave, te zezë mbi të bardhë konstatuan në mënyrë institucionale që Shqipëria është në krizë të thellë politike. Deri më sot mënyrë tjetër për të dalë nga kriza e thellë politike përveç zgjedhjeve të parakohshme nuk ka.

Pyetje: I shihni të realizueshme pranverën e vitit tjetër?

Lulzim Basha: Ne insistojmë që këto zgjedhje t’i mbajmë një orë e më parë, sigurisht me garanci për qytetarët shqiptarë dhe ajo që kërkojmë nuk është për ne, është për qytetarët shqiptarë, garanci për votuesit shqiptarë. Ky është objektivi ynë dhe për këë luftojmë dhe mendoj se me 9 kushtet e Bundestagut që tashmë përbëjnë një udhërrëfyes jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Këshillin Europian, jemi një hap më afër realizimit të një synimi fisnik, sepse nuk ka asgjë të keqe për një demokraci të bëjë zgjedhje të parakohshme, problemet me demokracinë nisin kur nuk ka zgjedhje ose kur ka zgjedhje te manipuluara apo të diktuara nga forca të errëta, siç është krimi i organizuar apo oligarkia.

Loading...