Kryedemokrati, Lulzim Basha, nuk sheh asnjë konflikt interesi midis qëndrimeve të opozitës dhe atyre të komunitetit ndërkombëtar në raport me reformën në drejtësi.
Por në një intervistë për RTV Ora ai paralajmëroi kundër çdo qëndrimi sipërfaqësor që e shikon zbatimin e reformës në drejtësi si çështje shpejtësie dhe jo si çështje cilësie, duke nënkuptuar këtu qëndrimet e ambasadorëve.
“Padyshim që duhet që një orë e më parë t’i kemi këto organe të pavarura, të gjithë e dimë pse janë vonuar, pse për dy vite me radhë KED nuk funksionoi.
Janë vonuar me një qëllim, sepse pushteti i trembet drejtësisë së pavarur, i trembet një SPAK-u të pavarur, pushteti i trembet një Gjykate Kushtetuese të pavarur.
Në gjithë këtë thashethemnajë dhe vorbull argumentash dhe kundërargumentash, qytetarët duhet të mbajnë mend tre gjëra: E para, është në interesin tonë si qytetarë të Shqipërisë dhe në interesin e opozitës politike të vendit, të kemi sa më parë organe të drejtësisë të konstituara sipas Kushtetutës.
Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë që mbron interesat e qytetarëve, që mbrojnë Kushtetutën kundër abuzimit nga pushteti.
Prokurori që nuk mbron por ndëshkon, çon para drejtësisë politikanët e korruptuar dhe figurat e krimit të organizuar. Së dyti, kjo nuk mund të ndodhë duke shkelur Kushtetutën.
Nuk mund të krijohet para çdo institucioni të drejtësisë një krizë e cila pastaj zgjidhet me mjete antikushtetuese”, deklaroi Basha.
Kreu i PD tha se një organ i drejtësisë që vjen në jetë me mjete antikushtetuese nuk do t’i shërbejë qytetarëve, nuk do t’i shërbejë ligjit, Kushtetutës, por i shërben atyre që duan ta kapin ose ta bllokojnë reformën në drejtësi.
“Së treti, jemi të vendosur që të mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat zbatimin e reformës në drejtësi ashtu siç e kemi aprovuar në Kushtetutë dhe jo ashtu siç dëshiron pushteti që i trembet drejtësisë së pavarur”, theksoi Basha.