I. Vata/ – “Në programin e PD-së do ketë mundësi stazhi për 10 mijë studentë shqiptarë në praktikë pune në sektorin privat”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ka zhvilluar sot një takim me studentët në Korpusin e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Në bashkëbisedim me studentë Basha tha se ne kemi parashikuar në programin tonë stazh për 10 mijë studentë.
“Në Gjermani pata mundësi të drekoja me 8 stazhierë në Bundestagun gjerman. Nga 8 stazhierë shqiptarë, dy kanë nisur punën në Bundestag dhe të gjithë ishin të zgjedhur përmes programeve të stazhit që Bundestagu ka për studentët që vijnë nga rajoni ynë. Ky është jo thjesht një prioritet, por duhet të jetë një prioritet absolut për studentët tanë. Për këtë arsye ne kemi parashikuar në programin tonë, një mundësi stazhi për 10 mijë studentë shqiptarë në vit. Pra 10 mijë studentë shqiptarë në vit, do të përfitojnë mundësinë përmes konkurrencës, të jenë diku në praktikë pune në sektorin privat apo në institucione shtetërore”.
Po ashtu Basha shpjegon dhe se si do të bëhet realitet premtimi i PD-së.
“Mënyra se si do të realizohet, do të reflektojë prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë, sepse kur bën stazhin, e bën me synimin që të mësohesh me praktikën e punës dhe të gjesh një vend pune. Fjala kyç këtu është një vend pune. Edhe në qoftë se qeveria financon 100 mijë stazhe, nëse s’ka vende pune, çfarë do të bësh?! Prandaj gjithçka duhet të jetë në funksion të krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës me kushte dhe paga dinjitoze”, tha Basha.
Basha u tha studentëve se do anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë dhe do të hartojmë një ligj të ri me standarde europiane.
“Programi që ju parashtrova nuk do të funksionojë nëse vendimet do ti marrë prapë kryeministri dhe ministri i Arsimit. Demokratizimi i vendimmarrjes, modernizimi i universiteteve sipas modelit europian, do të jetë tipari i ligjit të ri për arsimin e lartë, për të cilin kemi ngritur një grup pune me ekspertët më të mirë dhe do ti bëjmë një ftesë publike shumë shpejt pedagogëve dhe ekspertëve më të mirë shqiptarë, studentëve, që të bëhen pjesë e këtij grupi pune. Jo thjeshtë ta anulojmë këtë ligj ditën e parë në qeveri, siç ju kam premtuar dhe dua t’jua premtoj sot këtu. Por të kemi gati në mënyrë të plotë të konsultuar, transparente, ligjin e ri për arsimin e lartë të standardeve europiane”, tha ai.
Po ashtu Basha tha se do të dyfishojmë buxhetin për arsimin e lartë nga 36 milionë euro që është për vitin 2019, në 72 milionë euro.
Plani që kam patur rastin ta shpalos në seancat e fundit të pseudoparlamentit ishte ky: dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë, nga 36 milionë euro që është për vitin 2019, në 72 milionë euro. Me dyfishimin e buxhetit do bëhej e mundur që, së pari, të gjithë studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra të përfitonin subvencionin në masën 100% të tarifave për bachelor e master. Së dyti, për të gjithë të tjerët do të thotë përgjysmim të tarifave për bachelor dhe master. Së treti, do të thotë mjaftueshëm para për 5 mijë bursa sociale për ata studentë që edhe po tua zerosh tarifën, s’kanë mundësi as të marrin dhomë me qira, as të ushqehen e të blejnë dy palë këpucë, një për dimër e një për verë, as të blejnë tekstet shkollore e as biletën e transportit. Në një masë prej 2 milionë e 200 mijë lekësh të vjetra në vit, 5 mijë studentë familjet e të cilëve janë në një gjendje ekonomike katastrofike do t’ju mundësohet studimi. Ne do ta bëjmë këtë realitet. Nuk do të ketë asnjë vajzë apo djalë shqiptar që do të mbeten pa studiuar për shkak se familja e tyre nuk ka mundësi ekonomike. Ne do ta bëjmë realitet”, tha ai. /r.e/