Basha: Nëse do isha kryeministër, do u shpërndaja familjeve para që t’i ndërtonin vetë shtëpitë

Një vit nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, ku mijëra familje humbën strehët e tyre, Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar sot se nëse do të ishte kryeministër, do t’u çonte para të gjitha familjeve në zonat rurale për t’i ndërtuar shtëpitë në mënyrë individuale duke dhënë një premtim ndryshe nga procesi i rindërtimit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.

“Në mënyrë të përditshme do të denoncojmë abuzimet dhe deri në kufijtë e vjedhjes me rindërtimin. Fatkeqësia dhe rindërtimi nuk u morën asnjëherë seriozisht.
Banesa të shkatërruara nuk figurojnë si të pabanueshme, por paraqiten në raportet zyrtare si ndërtesa me dëmtime të lehta.
Edi Rama ka zgjedhur të qeverisë nga Facebook dhe Instagram, t’i përdorë vuajtjet e tyre për të fotografuar dhe prodhuar spotet e ditës.

Është filozofia e qeverisjes së Ramës, pa plan dhe e shkëputur nga vuajtjet e njerëzve të thjeshtë. Edhe donatorët po pengohen të ndihmojnë rindërtimin e shtëpive, sepse debatet e brendshme të qeverisë janë se kush do të marrë tenderin.

Unë nuk do qeverisja nga Facebooku dhe Instagrami. Do të bëja punë, jo propagandë. Këta njerëz që jetojnë në çadra rrezikohen nga COVID më shumë se kushdo tjetër.

Zgjidhja ime, shtëpitë në zonat rurale do të ishin ndërtuar sot po t’u ishte dhënë cash familjeve të goditura. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk njohin plan.

Po shkatërrojnë Tiranën me kulla dhe beton. Me sebepin e tërmetit ka afera të tmerrshme: grabitje të trojeve në bashkëpunim qeveri – mafia e ndërtimit.

Jam kritikuar që kam punuar dhe nuk i kam reklamuar.

Nuk jam kritikuar asnjëherë për propagandë. Unë besoj fort se të punosh për njerëzit pa zhurmë e propagandë është mënyra më e mirë për të bërë politikë. Nëse do të isha në pushtet, do të pajisja të gjithë të pastrehët me konteinerë, nuk do kisha bërë inceneratorët.

Nëse do isha kryeministër, do t’u çoja para të gjitha familjeve në zonat rurale për t’i ndërtuar shtëpitë në mënyrë individuale”, tha Basha.

Loading...