Basha nga Pogradeci: Merrni në dorë fatin tuaj, e diela është dita e fitores

Pogradeci ishte ndalesa e radhës e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Para qindrave mbështetësve demokratë, Basha kërkoi pjesëmarrje masive të dielën drejt kutive të votimit.

Sipas kryedemokratit vetëm në këtë mënyrë vjen ndryshimi. Basha e cilësoi të dielën ditën e fitores së madhe historike.

“E diela është dita juaj. Dita e ndryshimit. Dita e fitores. Ka zbritur njësoj si ky muzg i bekuar nuri i fitores në shpirtra e pogradecarëve.

Nga Durrësi në Tiranë, nga Gjirokastra në Tropojë, zemrat janë mbushur me shpresë dhe besim për ta bërë këtë të diel ditën kur Shqipëria i kthehet shqiptarëve.

E prek me gëzim, magjepsës këtë emocion, e shoh në sytë e nënave të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, e dëgjoj në zërin e rinisë dhe sytë e përlotur nga gëzimi të prindërve dhe gjyshërve tanë, të gjithë shqiptarëve e dinë se e diela është dita e fitores së madhe.

E fitores më të madhe që Shqipëria ka korrur ndonjëherë. Është dita e marshimit të zemrave tona, pas tetë viteve të gjata dështimesh, tetë vite vuajtjesh, tani po u afron fundi.

Dita e ndryshimit po afron, dita e fitores po afron. Për çdo shqiptarë, për të gjithë ju, pa përjashtim, të djathtë dhe të majtë që në 25 prill do të shkojmë drejt kutive të votimit për të votuar për ndryshimin, për numrin 9.
Paniku dhe frika e Edi Ramës nga humbja e thellë që e pret e ka shtyrë atë drejt krimeve dhe gënjeshtrave.

Por nuk e ndal do të ndryshimin që do Shqipëria. Kjo perlë që është qytet dhe është poezi në zemrën e do shqiptari e di fare mirë se ç’ndjeni ju dhe ju të gjithë fermerë të zonave, ata pasuroheshin dhe djemtë e nënave tona shkonin në emigracion.

Kështu e ka mbajtur vendin për tetë vite peng. Dhe tani guxon të vijë dhe të kërkojë edhe katër vite të thera,” deklaroi Basha.

Kreu i PD, u ndal sërish te përgjimi i publikuar nga gazetari Artan Hoxha në ABC, ku drejtori i Kadastrës dëgjohet teksa jep udhëzime për përdorimin e legalizimeve për fushatën e PS. Basha tha se Rama premtoi legalizime falas tetë vite më parë dhe se kjo është fytyra e tij e vërtetë.

“E dëgjuat skandalin e drejtorit të Kadastrës që tha le tua marrim votën dhe pastaj do ua prishim shtëpitë 100 mijë shqiptarëve. Tetë vite më parë premtoi legalizime falas, por ky është Edi Rama i vërtetë.

Dështimi i tetë viteve që tani kërkon të hyjë përsëri në shtëpitë tuaja, mbylljani derën dhe dritare.

Hapini zemrat tuaja, çlirojeni gëzimin e fitores së thellë. Shqipëria nuk është e Edi Ramës dhe këtij grushti njerëzish. Ky është Pogradeci i pogradecarëve, është vendi ynë dhe ne sëbashku do të punojmë që pasuritë dhe bekimet e Shqipërisë t’i gëzojë çdo shqiptar.

Le të marrim në dorë fatin tonë duke votuar numrin 9. Është në dorën tuaj dhe me 25 prill nuk ka forcë që ta ndalë. Pogradeci do t’i kthehet pogradecarëve dhe Shqipëria shqiptarëve.

E ardhmja e fëmijëve tanë nuk do të jetë më në duart e atij që i vodhi tetë vite Shqipërisë. Ushto rini e Pogradecit, qyteti i Lasgushit dhe këndo këngën e fitores. Bashkë dhe të bashkuar ne do të sjellim ndryshimin, duke votuar numrin 9. Pogradeci fiton, bashkë për ndryshim,” tha Basha.

Loading...