Basha: Nuk ka stabilitet pa demokraci

Në Europë shkohet vetëm me zgjedhje të lira, duke i dhënë fund padrejtësive dhe pandëshkueshmërisë së kriminelëve.

Ditë për ditë e natë për natë në aksion, në protestë të qëndrojmë fort të bashkuar. E gjithë bota e di që ky vërshim që ka nisur ka vetëm një fund, fitoren e popullit, fitoren e Shqipërisë si gjithë Europa”, tha kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha, në mbyllje të protestës katër orëshe të opozitës para Kryeministrisë dhe Kuvendit.

Protesta nisi rreth orës 11 me grumbullimin e mbështetësve pranë selive të PD-së dhe LSI-së, e më pas protestuesit u grumbulluan para Kryeministrisë, ku hodhën gurë dhe sende të tjera të forta. Nën drejtimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe zyrtarëve të tjerë partiakë, protestuesit marshuan në rrugët qark kryeministrisë e më pas iu drejtuan Kuvendit.

Para Kuvendit, situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish u përpoqën të hyjnë brenda territorit të tij, dhe u ndaluan nga forcat e rendit. Ata hodhën gurë dhe tymyese me ngjyra ndaj policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

pas minutash të tensionuara para Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i drejtoi protestuesit drejt selisë blu, ku mbajti edhe një fjalim që shënoi përmbylljen e protestës.

Duke folur para protestuesve në selinë e PD, Basha tha se, kjo protestë dëshmoi bashkimin më të madh që bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Tirana kanë njohur në historinë e tyre dhe për këtë çdo shqiptar sot ju ka një borxh mirënjohjeje ju, misionarëve të lirisë, misionarëve të demokracisë, misionarëve të Shqipërisë, si gjithë Europa”.

“Duart e gjata të krimit që për llogari të oligarkëve dhe kriminelëve dhunojnë motrat tona, nënat tona, baballarët tanë, vëllezërit tanë, do ti kenë ditët e numëruara për këtë zotohem para jush dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Kreu i PD i ka dërguar edhe një mesazh ndërkombëtarëve.

“Dua t’i dërgoj një mesazh të qartë miqve tanë perëndimorë. Nuk ka stabilitet pa demokraci, nuk ka stabilitet pa barazi para ligjit. Dëgjojini më pak autokratët e korruptuar. Mos e dëgjoni autokratin e korruptuar Edi Rama, mos e dëgjoni njeriun që e zhyti vendin në drogë. Dëgjoni zemrën dhe mendjen e njerëzve”, tha Basha.

Kreu i PD theksoi se, beteja do të vazhdojë në çdo qytet, çdo lagje, çdo rrugë, çdo shtëpi, çdo fshat të vendit.

“Në Europë”, tha Basha, “shkohet vetëm me zgjedhje të lira, duke i dhënë fund padrejtësive dhe pandëshkueshmërisë së kriminelëve. Ditë për ditë e natë për natë në aksion, në protestë të qëndrojmë fort të bashkuar. E gjithë bota e di që ky vërshim që ka nisur ka vetëm një fund, fitoren e popullit, fitoren e Shqipërisë si gjithë Europa”. /ATSH/

Loading...