KOMUNIKIM I KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME OPOZITËN E BASHKUAR DHE TAKIMIT ME PRESIDENTIN E REPUBLIKËS
Pyetje: Zoti Basha, takimi juaj me presidentin a kishte lidhje me 13 tetorin?
Lulzim Basha: Padyshim lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe ,siç është shprehur politikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qendrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar janë në këtë betejë për interesin e njerëzve, që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit, siç e deklaroi dhe OSBE/ODIHR-i, duhet të jenë për njerëzit, dhe jo për ymerlalët dhe shokun e tyre, “Bablokun” e madh dhe oligarkët.
Në këtë funksion, opozita ëshë e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pa edhe me 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe, për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve.
Sot, në takimin me opozitën e bashkuar, kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve.
Në këtë kuadër, kemi diskutuar për emergjencën ekonomike, ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që, duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë e të demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë t’I vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë, pasurinë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë, në të paktën 2 dekada.
Ndaj, bashkarisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë, me fitoren e Opozitës së Bashkuar, e cila tashmë, jo vetëm thjesht përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit, është konfirmuar si maxhoranca e re politike.