Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar tjetër dosje me përgjime të Prokurorisë, si ajo ‘339’ në të cilën rezulton i përgjuar edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.
Në një komunikim për mediat nga selia blu, Basha deklaroi se ekziston edhe dosja ‘184’. Të dyja këto dosje, tha Basha, do të zbardhen dhe do të zbulohen politikanët e inkriminuar.
‘Edi Rama! Dosja 339 është makthi yt! – tha Basha nga selia e PD. – Ti e di fare mirë se përtej minutave që janë botuar nga Zëri i Amerikës dhe nga BIRN-i, çfarë përmban ajo dosje.
Uroj ta dish se çfarë përmban dhe Dosja 184! Të dyja këto dosje do të zbardhen!
Drejtësisë do t’i zgjidhen duart! Të gjithë politikanët e përfshirë me kokat e krimit të organizuar do të shkojnë para drejtësisë dhe shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme’, tha kreu i opozitës Lulzim Basha.
Dosja ‘184’ e Prokurorisë i përket qarkut të Dibrës.
‘Do kemi kohë për të zbuluar çdo informacion që na vjen, dhe natyrisht detyra dhe nderi ua kërkon që këtë pyetje t’ia bëni Prokurorisë, sikundër t’i pyesni pse janë vonuar hetimet, pse nuk zbardhen dosjet’, tha Basha për gazetarët.