Basha mbylli sot protestën e opozitës përmes një fjalimi para mbështetësve te selia blu.
Basha u shpreh përpara mbështetësve se sot është dita e dytë e zgjimit kombëtar.
Pas incidenteve të shënuara para Parlamentit, ai tha se ishte policia ajo që hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, duke provokuar tensione me qëllim që të shpërndante turmën.
“E sotmja hyri në historinë tonë të bashkimit kombëtar. Çdo shqiptar sot dhe çdo brez që vjen ju ka një borxh ju, misionarë të lirisë, misionarëve të demokracisë, misionarëve të Shqipërisë si gjithë Evropa. Sot më në panik se kurrë kufoma politike e Edi Ramës dhe klikës së tij kriminale përshkallëzoi dhunën e paprovokuar ndaj protestuesve për t’i larguar nga rruga e protestës, por përgjigjen e mori nga populli.
Duart e gjata të krimit që dhunojnë baballarët dhe nënat tanë do të japin përgjegjësi para ligjit. Për këtë zotohem sot para jush. E gjitha Shqipëria dhe Bota sot kanë parë vendosmërinë e një Shqipëria të bashkuar për vlera evropiane dhe për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Dita kur do të shkojnë para drejtësisë po afron. Pa ju o viganë mbrojtës së lirisë dhe demokracisë , ky vend do të ishte rreshtuar krah vendeve pa të ardhme. Ne do ta hedhim në lumë rrugën e mbrapsht të Edi Ramës“, u shpreh Basha.
Ai tha se sot mbështetësit e opozitës janë shumë e më shumë, duke shtuar se opozita do vijojë betejën për kthimin e demokracisë në vend.
Basha iu përgjigj edhe kritikave të ndërkombëtarëve në anglisht ku tha se “pa stabilitet nuk mund të ketë demokraci”, “nuk ka stabilitet pa drejtësi”, “nuk ka stabilitet pa pabarazi para ligjit”, ndërsa paralajmëroi protesta të përditshme deri në largimin e qeverisë.
“Dua t’i drejtoj në emrin tuaj një mesazh të qartë miqve tanë perëndimore që na kanë mbështetur në 29 vite demokraci “no stability without democracy”, “no stability without rule of law”. Mos e dëgjoni autokratin Edi Rama dëgjoni zërin e qytetarëve. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë në çdo rrugë, në çdo fshat derisa ta çlirojmë vendin nga kriminelët, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Pengesa e vetme është kjo qeveri kriminale. Ka 5 jave që nuk gjen vrimë ku të futet. Le ta bëjmë bashkimin tonë dhe protestën tonë të përditshme dhe të përnatshme. Në Evropë shkohet vetëm me zgjedhje të lira, shkohet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, ishte thirrja e Bashës edhe në anglisht, pas deklaratave të ambasadës së SHBA dhe delegacionit të BE në Tiranë.
Ai tha se kryeministri ka frikë nga qytetarët dhe largohet sa herë shqiptarët bashkohen. Sipas Bashës, Rama u fsheh sot në tunelet e diktaturës në Poliçan. “Edi Rama humbi bastin se protesta do ishte më e vogël se në 16 shkurt. Por e humbi bastin dhe u fsheh në tunelet e diktaturës në Poliçan. Fshihet sa herë shqiptarë bashkohen. Kjo që kemi nisur nuk do të sprapset. Ne nuk do lodhemi, nuk do përçahemi, nuk do ta ulim kokën, nuk do pranojmë kurrë t’i themi legjitime një qeverie dhe kryeministri të kapur nga krimi dhe një parlament të kthyer në pazarin e gjësë së gjallë”, tha ai.
Edhe mbyllja e kësaj proteste u bë nën ritmet e himnit kombëtar, ndërsa kryedemokrati bëri edhe simbolin e shqiponjës me duar.