Basha: Presim lëvizje tektonike më 25 prill jo bastione, drejtues të lartë të PS duan ndryshimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se qytetarët e kanë në dorë ndryshimin e tyre më 25 Prill duke votuar numrin 9, ndërsa tha që besojnë se “dëshira për ndryshim do të përkthehet në një lëvizje tektonike politike”.

Basha tha se nuk ka më bastione pasi i përket një ndarje në të kaluarën, ndërsa theksoi se edhe eksponentë të Partisë Socialiste po pohojnë se do të votojnë Paritë Demokratike.

“Njerëzit e kanë ndarë mendjen, ndryshimi është e vetmja gjë që presin dhe kërkojnë. Ndryshimi në 25 prill është në dorën e tyre dhe secili duhet të shkojë te kutia e votimit duke votuar numrin 9. Në të gjithë Shqipërinë ne besojmë se dëshira për ndryshim do të përkthehet në një lëvizje tektonike politike.

Nuk ka më bastione, jo më tani, por ka kohë që nuk ka më bastione, kjo është një ndarje e kaluar. Ajo që ju shikoni këto ditë është që drejtues të lartë socialistë po dalin dhe të thonë do të votojmë për ndryshimin” tha Basha për ABC.

Kreu i PD në fjalën e tij, ndau edhe bisedën me ish-kryeministrin Berisha lidhur me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ku theksoi se ishte një projekt strategjik që zhvillonte ekonominë në vend.
“Si deputet i Elbasanit ishte kërkesë e banorëve që të bënim gjithçka për autostradën Tiranë-Elbasan, ndërkohë që ishte projektuar një rrugë tjetër Baldushk-Papër.

Dhe vjen një moment, e diskutojmë, unë isha përfaqësues i Elbasanit dhe kryeministri Berisha më thotë sapo kemi mbaruar tunelin e Kalimashit duhet të rishikojmë se ky opsioni tjetër mund të jetë më i përballueshëm dhe mbrapa qëndronte si gjithmonë leva e frenave, që është ministri i Financave. I thashë ne i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë atë tjetrin, por kjo do të na ndihmojë shumë më shumë në kuptimin ekonomik, është pjesë e “korridorit 8”.

Duke shfrytëzuar lidhjet si ministër i Jashtëm, që kisha me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara që është akoma në detyrë, i kërkova ndihmë. Ndodhi që gjatë fushatës kërkoi të vinte për një vizitë dypalëshe dhe i thashë, “dakord por unë jam në fushatë, vetëm nëse vjen në Elbasan”.

Erdhi në Elbasan dhe i tregova edhe rrugën e vjetër dhe pastaj u nisëm, se nuk kishte kohë, me helikopter për takimet e tjera zyrtare në Tiranë dhe e pa sa afër, ishin dy qytete por i pengonte masivi malor i Kërrabës.

Pata një lobim një vjeçar që në fund fare rezultoi në një kredi shumë të butë. Abu Dhabi në këtë rast ka ndihmuar për këtë vepër për kredinë që morëm për Lumin e Tiranës dhe Bulevardin e ri, është një vepër e projektuar me konkurs ndërkombëtar. Me këtë projekt ju drejtova Fondit të Abu Dhabit që me të vërtetë jep kredi të buta dhe arritëm të financonim Bulevardin e ri të Tiranës dhe lumin e Tiranës” tha Basha.

Lidhur me disa rrëshqitje që pësoi në ky aks dhe akuzat se nuk pati studim gjeologjik përpara fillimit të projektit, Basha i cilësoi gënjeshtra dhe mashtrime këto deklarata të bëra nga përfaqësues të shumicës socialiste në qeveri

“Janë të gënjeshtra, lojëra të cilat i kanë bërë për të fshehur grabitjen që kanë bërë me vite me radhë për çdo projekt publik. Si ka mundësi që për 8 vite të ndërtohen Tirana-Elbasan dhe Rruga e Kombit dhe 8 vite me radhë nuk mbarojnë dot Unazën e Tiranës. Afera e Unazës së Re është simbolikë se çfarë ka ndodhur me investimet publike”, tha Basha

Loading...