Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shprehur sot vendosmërinë e opozitës për të denoncuar gjatë këtyre ditëve në vazhdim, dy koncensione të mëdha që kryeministri Edi Rama po tenton t’i kalojë me vota në parlament, pasi përfitimi prej tyre është mbi 200 milionë euro.
Bëhet fjalë për dy koncensione rrugës, Milot – Balldren dhe Vlorë-Orikum.
Basha theksoi se Rama dhe ata që janë pjesë e kësaj afere grabitjeje nuk kanë për t’i gëzuar ato para.
“Dua të sjell në vëmendjen tuaj, skandalin që ka plasur me dy koncensionet, Milot-Balldren dhe Vlorë-Orikum. Bëhet fjalë për një aferë të tmerrshme korruptive, – theksoi kreu i opozitës nga selia e PD-së. – Me koncensionin e Balldrenit duan të bëjnë shqiptarët që të paguajnë çmimin 5 herë më të lartë, të vjedhin gati 200 milionë euro dhe po ashtu edhe me Vlorë-Orikum.
Pra, po bëjnë rrëzimin e dekretit Presidentit Ilir Meta dhe kalimin e tyre me shpejtësi në Kuvend. Pra ky nuk afron asgjë tjetër përveçse të vjedhë deri në çastin e fundit që është atyre.
Kjo ndërtesa që është aty pas selisë sonë, është kthyer në një noter të hajdutërisë. Kësaj shqiptarët i thonë “vjedhje me ligj”. Ligji po bëhet për të vjedhur që ata që po e bëjnë të mos shkojnë para drejtësisë. Ndaj sa më shpejt ta largojmë këtë qeveri dhe kryeministër hajdut, që përdor institucionin kryesor të përfaqësimit, si noter hajdutërie, aq më mirë do të jetë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
Ky është një nga shqetësimet kryesore të kësaj jave dhe jemi të vendosur të denoncojmë deri në fund këtë aferë dhe ata që e mbështesin: Nuk kanë për t’i marrë ato para të shqiptarëve nuk kanë për t’i gëzuar, sepse zotimi im personalisht është anullimi i çdo korrupsioni korruptiv, ndjekja e parave kudo ku i kanë çuar, qoftë oligarkët, qoftë politikanët dhe më pas konfiskimi i tyre. “