Basha: Secili prej nesh duhet të bëjë detyrën për të mbrojtur veten dhe familjen e tij. Ndërsa qeveria duhet të bëjë gjithçka ka në dorë për të mbrojtur njerëzit në këto kohë të vështira

Lulzim Basha i ka bërë një propozim drejtuar qeverisë, ku sugjeron që shteti duhet të sigurojë vaksinën e gripit falas për të gjithë qytetarët.

Sipas Bashës, do të mund të mbrojë popullin nga influenca e stinës dhe komplikacionet e saj, por në të njëjtën kohë do t’i jepte hapësirë sistemit shëndetësor për të qenë i gjithi në dispozicion të pacientëve të Covid-19.

“Me një situatë pandemie që fatkeqësisht rëndohet përditë, ne duhet të marrim të gjitha masat e duhura për të lehtësuar sa më shumë sistemin shëndetësor dhe mjekët dhe infermierët që janë përditë në vijën e parë të betejës me virusin.

Përveç zbatimit të masave të distancimit social, mbajtjes së maskës dhe higjenës si dhe rritjes së domosdoshme të kapaciteteve të testimit, qeveria duhet të marrë urgjentisht masat dhe të sigurojë vaksinën e gripit falas për të gjithë popullsinë në vjeshtë.

Kjo do të mbronte shqiptarët nga influenca e stinës dhe komplikacionet e saj, dhe do të ndihmonte sistemin tonë shëndetësor për ta patur atë të gjithin në dispozicion dhe të përgatitur për ta përballuar pandeminë COVID-19.

Secili prej nesh duhet të bëjë detyrën për të mbrojtur veten dhe familjen e tij. Ndërsa qeveria duhet të bëjë gjithçka ka në dorë për të mbrojtur njerëzit në këto kohë të vështira!

Vaksinimi kundër gripit, falas për të gjithë këtë vjeshtë, është një masë shumë e rëndësishme për shëndetin e shqiptarëve!”

Loading...