Duke folur para gazetarëve në një deklaratë të jashtëzakonshme nga selia blu, lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë thirrje për shqiptarë që të bashkohen nesër në protestën e madhe kombëtare.
‘Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë është rruga jonë drejt së ardhmes’, u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë konferencës për mediat.
Pjesë nga deklarata e kreut të PD-së, Lulzim Basha:
Shqipëria ka nevojë për një operacion të thellë për të hequr kancerin e së keqes dhe të tillë do ta ketë.
Ajo pjesë e policisë, prokurorisë, administratës që do të mbetet do të jetë vetëm pjesa e ndershme, e aftë dhe që punon për interesin publik. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë është rruga jonë drejt së ardhmes.
Në Shqipëri nuk do të ketë më të fortë as në politikë, as në institucione dhe as në rrugë. Boll më me Shqipërinë si plaçkë e tyre. Boll më me shqiptarët kokëulur dhe në gjunjë para tyre. Është koha për Shqipërinë e te gjithë shqiptarëve.
Për këtë ju ftoj te bashkohemi si popull, si njerëz të lirë, si prindër dhe bij e bija shqiptarësh të ndershëm, si qytetarë pa dallime partiake, nesër në orën 20:00 në protestën kombëtare në Tiranë.