Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim basha ka akuzuar kryeministrin Rama se pas shembjes jashtë çdo ligji të Teatrit Kombëtar duke vjedhur pronën publike tani do marrë kredi 30 milionë euro për ndërtimin e saj duke i shtuar borxhin shqiptarëve.
“Teksa po i afrohet fundit të qeverisjes Ramavirusi ka hequr dorë nga fasada. Shkatërroi Teatrin Kombëtar duke përfituar nga pandemia, në shkelje flagrante të çdo ligji dhe norme shoqërore, për të grabitur pronën publike dhe për të shtuar me 30 milionë euro borxhin e shqiptarëve”, shkruan Basha në twitter.
Në lidhje me letrën që PD publikoi më parë thuhet se kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i drejtohet qeverisë se kostot e përgjithshme për ndërtimin e projektit parashikohen të jenë rreth 30 milionë euro duke theksuar se Banka Evropiane e Investimeve ka shprehur gatishmërinë e saj për të financuar projektin e Teatrit të ri, me kushte financiare shumë të favorshme. Letra u publikua nga ish deputetja demokrate Jorida Tabaku ku akuzoi qeverinë dhe kryebashkiakun Veliaj se kërkojnë të marrin borxh 30 milionë euro në një kohë që shqiptarët jetojnë në varfëri, duke kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria.
Në një intervistë për Report Tv më 19 maj, Erion Veliaj u shpreh se teatri i ri do të bëhet me kredi dhe deri tani 17 banka europiane kanë shprehur interes. “Projekti nuk është gati, e kemi projekt ide, por duhet detajuar. Do të punojmë tre muaj për detajimin nga vjeshta do të bëhet prokurimi, sot 17 shprehje interesi nga Banka Europiane për të financuar këtë projekt do të ecim përpara për ta financuar” , ka thënë Veliaj.