Partia Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën e saj për zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë fjalës së tij, kreu I PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje të rinjve që të mos marrin rrugët e emigracionit, por të qëndrojnë në vendin e lindjes.
“Mos merr kamioni për në Angli por qëndro këtu me ne, lufto me ne.”-tha Basha.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së
Ata nuk na qeverisin, por i shërbejnë vetes e ortakëve që po rrëmbejnë nëpërmjet akteve grabitqare gjithçka ka ky vend. Ne po zhvillojmë edhe një betejë tjetër, brenda vetes. Unë e di se pas 8 vitesh zhgënjime e mashtrime shumëkujt i ka humbur besimin. Për të gjithë ata që mendojnë, a është kjo ajo që meritojmë?
A është varfëria ajo që meritojmë? A është mungesa e punëve, papunësia dhe mjerimi? Largimi nga sytë këmbët e rinisë, këtij populli të talentuar, a është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë. Prandaj ne jemi sot këtu që t’jua bëjmë të qartë, ne shqiptarët meritojmë më shumë, mundemi të bëjmë më shumë, dhe do të bëjmë shumë më shumë.