Basha u jep më shumë pushtet grave, zbardhet ekipi i ri i kryedemokratit

Ekipi i ri me emra të spikatur, surpriza dhe prurje të reja në çdo nivel. Lulzim Basha u jep më shumë pushtet grave në Partinë Demokratike, të cilat do të drejtojnë poste kyçe dhe sekretariate të rëndësishme.

Ditën e nesërme mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, për ekipin e tij të ri Lulzim Basha duket se ka zgjedhur më shumë gra për të drejtuar poste kyçe dhe sekretariate të rëndësishme të PD. ABC ka zbardhur ekipin e plotë të kryedemokratit Basha.

Për herë të parë, Partia Demokratike do të ketë dy gra nënkryetare: Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.

Ndërkohë ish drejtori i Fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar ndërsa drejtuesi politik i Qarkut të Fierit dhe një politikan me përvojë Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit, dhe njëkohësisht nënkryetar i PD.

Sakaq, Basha i ka besuar sërish Gazment Bardhit, duke e riokonfirmuar në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm.

Edi Paloka, do të propozohet për Kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke zëvendësuar Bujar Nishanin, kritik i ashpër i Bashës. Burimet brenda Selisë Blu për gazetarin Juxhin Mustafaraj bëjnë me dije se Edmond Spaho, ish-nënkryetari i PD ka kërkuar të mbajë vetëm detyrën e deputetit.

Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja Flutura Açka është nominuar për një post të rëndësishëm, atë të Kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Jemin Gjana, është nominuar si Kryetar i Komisionit Zgjedhor. Për dy çështje parësore për Partinë Demokratike, ato të pronave dhe të përndjekurve, Lulzim Basha ka vendosur të ketë sekretariate të dedikuara, të cilat po kështu ju janë besuar grave.

Për Sekretare për Pronarët dhe çështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, e cila vjen nga një përvojë e pasur juridike me një fokus të veçantë në këtë fushë. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë, fushë në të cilën ka një kontribut të madh prej shumë vitesh.

Ekonomia, klima e investimeve dhe marrëdhënia me biznesin mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike. Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës, dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.

Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi.

Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.

Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.

Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.

Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.

Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa – Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci.

Ndërkohë është zbardhur edhe ndarja e përgjegjësive ne Grupin e ri Parlamentar. Grupi që do të drejtohet nga nënkryetari i Partisë Alfred Rushaj do të ketë dy Nënkryetarë: Ervin Salianjin dhe Luçiano Boçin. Detyra e Zëdhënësit të Grupit i është besuar Orjola Pampurit, ndërkohë që ajo e Sekretarit të Grupit Parlamnetar, deputetit të ri të Vlorës Arbi Agalliu.

Deputetët janë ndarë në 8 komisone ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj

Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi

Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati

Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka

Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomorr Alizoti

/abcnews.al

Loading...