Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot nga Shkodra se “protesta madhështore e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 Prillit dhe sakrifica e katër bijve më të mirë të Shkodrës: rrëzimin e diktaturës, triumfin e lirisë, triumfin e demokracisë.”
Basha tha më tej se: “Asnjëherë nuk ka qënë më e kërcënuar demokracia sesa sot, liria për të zgjedhur me votë dhe rrëzuar me votë qeverinë se sa sot.
Në delir, nga aleanca e politikës me krimin, e krimit politik që përgjak Shkodrësn dhe gjithë Shqipërinë, shëmbëlltyra e këtij regjimi mendon se mund ta likuidojë opozitën dhe se mund të bëjë edhe pa të, se mund ta marrë Shkodrën pa zgjedhje, se mund të mbajë Shqipërinë pa zgjedhje, për sa kohë t’i nevojitet, mundësisht përjetësisht. Kjo nuk ka për të ndodhur.
S’ka vegla të verbra, as gaz lotsjellës, as hafije, as aparat shtypës, që të mund të rikthejë qetësinë e kufomës politike të Rilindjes, trashëgimtares së denjë të krimit të 2 prillit 1991. Protesta mbadhështore e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 prillit dhe sakrifica e katër bijve më të mirë të Shkodrës, rrëzimin e dikaturaës, triumfin e lirisë, triumfin e demokracisë.”
Kujtojmë se katër viktima e dhjetëra të plagosur ishin pasojat e plumbave ndaj forcave policore drejt turmës që protestonte në 2 Prill të vitit 1991. Bujar Bishanaku, Arben Broci, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka ishin të vrarët e asaj dite, sot të shpallur martirë të demokracisë.