Basha:”Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari”

Kryetari i PD, Lulzim Basha, nga Kruja, shprehu sërish vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund betejës për zgjedhje të lira e të ndershme, duke kryer detyrën e parë kryesore, largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme, në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.

“Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. 

Zgjidhja nuk eshte “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane”- deklaroi Basha në takimin me strukturat e PD në Krujë.

“Zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”- theksoi kreu i opozitës, duke vënë në dukje se sakrifica e opozitës së bashkuar dhe e qytetarëve që e mbështetën atë u shpërblye në 30 Qershor, me refuzimin plebishitar dhe mesazhit Rama Ik qe dhanë 85 përqind e shqiptarëve.

“Opozita e Bashkuar e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve. Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik. Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrike, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama.

Loading...