Gazetari Arjan Çani thotë se kriza në Partinë Demokratike sapo ka filluar. Çani deklaroi se në lojën e PD-së është futur edhe vetë kryeministri Edi Rama që sipas tij po parandalon ikjen e deputetëve të PD-së në drejtim të Komisionit të Rithemelimit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Të njëjtën gjë sipas Çanit po bën edhe ambasada amerikane në Tiranë.
“Kriza nuk është konsumuar, sapo ka filluar. Ambiciet nuk janë shprehur. Nuk e dimë kush do të jetë në garë përveç Berishës. E treta, të mos harrojmë, që ndërkohë që po flasim, po luhet shumë underground dhe faktorë të tjerë po hyjnë. Gaz Bardhi ka qenë sulm i paparë, ka sulmuar gjykatësin. Unë nuk besoj te bashkimi.
Di që kur gota thyhet, nuk ngjitet më. Mund të ketë lëvizje fluide brenda grupeve, por ndarja ka ndodhur, divorci ka ndodhur. Nuk besoj te bashkimi fare. Nëse gjykata e njeh, çfarë ndodh? Do të thotë që Berisha duhet të kthehet në seli? Gaz Bardhi ka thënë gjykatësi do të ketë problemin me drejtësinë.
Ende nuk është konsumuar kriza e vulës dhe selisë. Është proces interesant, nuk duhet parë si dramë, por si serial interesant. Në vend të merremi me një kryeministër, që nuk po josh dhe shumë, ka dy mandate të tjera deri në 2029, kjo në këtë moment nuk është keq. Përveç gjykatësit që hyn nesër, ka faktorë të tjerë, që janë të lidhur me Ramën. Rama ka futur njerëz te grupi i Bashës, që të ndikojë t’i frenojë që të kalojnë me Berishën.
Janë futur edhe amerikanët në lojë, me mesazhe me gjëra… Në këtë krizë një element mbetet i pandryshueshëm, që quhet Berisha. 9 shtatori riktheu Berishën. Ai nuk ikën nga kjo jetë pa nder dhe dinjitet. Ai do t’i thotë amerikanëve, ju nuk më doni, por unë jam kryetar i opozitës!”, tha Çani.