Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në lidhje me zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndërsa theksoi se kjo çështje po përdoret për qëllime politike. Berisha u shpreh në emisionin “Çim Peka Live” në vitin 2020, se ai nuk ka asnjë informacion në lidhje me zhdukjen e tij.
Mes të tjerash ai theksoi se familja e Remzi Hoxhës përdoret rregullisht për fushatë elektorale. “Nuk ka patur dhe nuk do ketë kurrë një njeri që do të faktojë qoftë me gjënë më të vogël se Sali Berisha ka pasur një informacion, një të dhënë, nga cilido institucion, dhe ka ditur se ekziston Remzi Hoxha mbi dhe. Shpreh keqardhjen për mënyrën se si po e përdorin për qëllime politike.
Përdorimi i familjarëve në kohëra elektorale, ka qenë një rregull që nuk i ka nderuar”, deklaroi ai. Ndërkohë Berisha theksoi se e kishte njohur Remzi Hoxhën nga miku i tij, Adem Demaçi. “Emrin e Remzi Hoxhës e kam dëgjuar nga miku i tij i atëhershëm, Adem Demaçi. Kam thirrur përgjegjësit e institucioneve dhe u kam kërkuar që të bëjnë gjithçka për gjetjen e tij. Agjencitë kanë thënë që nuk gjejmë asnjë gjurmë.
Kam menduar se mund të jetë eliminuar nga agjenci të huaja, pasi thanë se ishte implikuar në atentat kundër Gligorovit. Lajmi se është implikuar në atentat kundër meje është një shpifje”, nënvizoi ai, teksa shtoi se lajmet se Hoxha kishte dijeni për takimet e tij sekrete me personazhe famëkëqinj të Serbisë, janë trillime. Madje Berisha theksoi se nuk është takuar kurrë në mënyrë sekrete me njerëz, mes tyre dhe Sllobodan Millosheviçin.