Gjatë fjalës së tij me demokratët në Gjirokastër, kryetari i PD-së, Sali Berisha foli edhe për vendimin e Greqisë për të vendosur veton, pas vendimit të Edi Ramës, për të arrestuar Fredi Belerin.
Sipas Berishës, Edi Rama e di që Belerin nuk e dënon dot, dhe prandaj i ka bllokuar edhe betimin. Sipas Berishës, Greqia ka të drejtë me qëndrimin e saj.
Pjesë nga deklarata e kreut të PD-së, Sali Berisha;
A mundet ne të pajtohemi me këtë situatë? Kurrën e kurrës.
Ndaj dhe ne do ngrihemi me të gjithë forcën tonë.
Nuk ka tiran, nuk ka regjim të bazuar në banda dhe drogë që mund t’i rezistojë mosbindjes civile.
Kauza jonë është e drejtë, kauza jonë do fitojë.
A u themeluam ne si parti e orientimit perëndimit të kombit shqiptar?
Në një hark kohor të shkurtër, 2005-2013, pasi anëtarësuam në Këshillin e Europës, ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO, të liberalizojmë vizat, të marrim statusin e vendit kandidat.
Çfarë ndodh sot?
Një horizont që vetëm largohet për shkak të një njeriu që nuk ka asnjë parim tjetër përveç pasurimit të tij.
Shkoi në Bruksel, mori kartonin e kuq, doli si kloun dhe bënte klounin. Mendonte se shqiptarëve do ua shesë këtë si sukses.
Faktikisht integrimi është bllokuar. Faktikisht me Edi Ramën, kurrë integrim nuk ka.
Të gjithë ata që analizojnë Edi Ramën, aktet dhe gjestet e tij pyesin, si ka mundësi që ky njeri vepron kështu.
Por pyetja më e rëndë është si ka mundësi që këta njerëz e durojnë këtë kështu.
Ne nuk do e durojmë atë. Ne do ngrihemi me të gjithë forcën ta përmbysim ata. Ata që na zënë rrugën drejt Europës, janë armiq të egër të vokacionit tonë dhe ne do i nxjerrim nga rruga.
Krijoi me Greqinë, fqinjin tonë, i cili për hir të së vërtetës, në asnjë rast nuk ka penguar udhëtimin tonë drejt BE dhe NATO-s. Nuk është se nuk kemi pasur probleme, por Greqia nuk ka shkuar në atë që ose të bëjë këtë Shqipëria, ose nuk votoj për të.
Ç’po ndodh tani? Tani në mënyrën më antikushtetuese, më antidemokratike, pengon betimin e Fredi Belerit.
Mor zotëri, Fredi Beleri dhe cilido qoftë, i zgjedhur, pa u dënuar nga gjykata, kurrë nuk mund të pengohet të bëjë betimin.
As në Shqipëri, as në Greqi dhe në asnjë vend që pretendon se njeh prezumimin e pafajësisë.
Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri. Ka deputetë të PD që janë betuar nga burgu.
Çfarë ndodh me këtë? Ky qenka grek. E pastaj që qenka grek? A fitoi? Ai ka të drejtë të jetë deputet, kryeministër, president, çdo gjë që i japin shqiptarët me votën e lirë. Apo jemi në klishetë e Enver Hoxhës? Kjo është klisheja e një mafiozi.
Sepse e di që Fredi Beleri ia bën pluhur projektet e zaptimit të pronave në Himarë, siç ia bëri Vasil Bollano.
Çfarë bën ky? Ky i merr trafikantët, më së shumti nga veriu, i çon me thasë dhe blejnë tokat në të zezë. Çon ministrat, i shpall investitorë strategjikë, çon Olsin e pangopur dhe sheh ato bukuri dhe thotë se duhet të jenë të miat. Dhe krijon një qëndrim absolutisht plotësisht të motivuar, se edhe unë të isha në vend të kryeministrit të Greqisë, absolutisht asnjë qëndrim tjetër nuk do të mbaja.
Kjo është historia dhe përpiqet të na nxjerrë nacionalistë. Ky është një mafioz që nuk ka asnjë interes kombëtar, ka vetëm interesa mafioze.
Ky e di që Belerin nuk e dënon dot se ato prova nuk janë prova me ligjin shqiptar.
Dhe tani meqë nuk e dënon dot, do ta bllokojë betimin. Sigurisht Greqia e tha që nuk është çështje bilaterale, është çështje e shtetit ligjor, e funksionimit të ligjit.
Po imagjinoni për një moment që Bosnjën e bllokon Dodikun, nëse Serbinë dhe Kosovën i bllokon mungesa e marrëveshjes, nëse Maqedoninë dhe Bullgarinë i bllokon ndryshimin i Kushtetutës, ne na pengon vetëm Edi Rama.
Sepse Edi Rama bllokon parlamentin, sepse Edi Rama do të marrë të gjitha pushtetet, sepse Edi Rama nuk lejon të betohet kandidati i opozitës.
Ndaj ne duhet të ngrihemi në mosbindje civile. Ne do ngrihemi të ecim të sigurt drejt fitores.