Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli sot “Non Grata” ish kryeministrin Sali Berisha, duke e akuzuar për korrupsion gjatë qeverisjes së tij.
Duke komentuar këtë vendim të papritur të DASH, në një lidhje direkte për Radar Informativ, gazetari Berat Buzhala ndër të tjera tha se nuk beson që kryeministri Edi Rama të ketë pasur informacion, pasi është e vështirë për ta pasur.
I pyetur se kush mund ta ketë radhën pas Berishës, Buzhala tha se ky vendim vjen edhe për të parë si do të reagojë Meta, që sipas tij ka pasur retorikë edhe më të fortë.
Pjesë nga biseda:
Pyetje: Dukej sikur Rama e dinte çfarë do ndodhte sot nga replikat e tij në Kuvend dy vite më parë. Mendon se dinte diçka në atë kohë?
Berat Buzhala: Nuk e besoj që rrjedhin aq lehtë infomatat nga DASH tek politikanët lokalë. Kemi pasur edhe në Kosovë akuza mes politikanëve më shumë janë hamendje. Nuk besoj se Rama ka pasur informata të dorës së parë. Berisha në moshën 77 vjeçare si turist pak e vështirë se do të shkojë atje. Një lloj shërbimi tinzar që po i bëhet në kurriz të një lideri që ka të metat e tij, por është personazh pozitiv. Efekti kryesor i këtij hapi është disiplinimi i aktorëve të tjerë në Shqipëri. Është viktimizuar një figurë e rëndësishme për të parë reagimin e Metës, Bashës që po hesht.
Pyetje: Kush e ka radhën?
Berat Buzhala: Nëse ka logjikë, nëse e ndjekim është tek Meta që ka qenë pjesë e kabinetit të Berishës. Do ta shoshim si do të sillet Meta tani e tutje. Retorika e Metës ka qenë më agresive se e Berishës në vitet e fundit.
Pyetje: Ky vendim e fuqizon Ramën?
Berat Buzhala: Rama është në pozitën që ishte Kurti në Kosovë. Kurti u fuqizua pasi Hashim Thaçi përfundoi në Hagë, që ishte kundërshtari i tij kryesor. Poli kryesor kundër Ramës është Berisha. Aktualisht në Shqipëri fuqia politike e Metës ra pas zgjedhjeve. Kërcënim paraqiste PD që ndonëse i humbi zgjedhjet e rriti votën e vet. Meta është rrezik më i vogël në raport me Ramën. Rreziku kryesor në një lloj pajtimi, por pengesa kryesore e këtij pajtimi ishte Berisha, nuk ishte Meta dhe as Basha.