Berisha shpërndau lajme të rreme/ Ish-kryeministri kërkoi ndjesë për lajmin kundër shefes së ONM-së

Ish-kryeministri Berisha pranoi se në profilin e tij shpërndan lajme fake news. Ati që e detyroi ta pranojë këtë fakt është komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Olivér Várhelyi.

Ja çfarë tha Berisha në një emision në Ora News:
“Statusi im bazohej në një fake news dhe unë besoj plotësisht te përgënjeshtrimi që bëri komisioneri Varhelyi, që unë e vlerësoj si njeri serioz, transparent dhe një njeri që përpiqet të ndihmojë Shqipërinë me aq mundësi që ka. Nuk ka arsye të dyshoj në përgënjeshtrimin e tij. Tërheq me ndjesë statusin tim me bazë një fake news. Besoj që komentet e tjera janë të tepërta”.

Po çfarë ka ndodhur? Në profilin e tij në Facebook, Berisha kishte publikuar një lajm dhe akuzonte shefen e ONM Genoveva, Ruiz Calavera si bashkëpunëtore të Ramës.

Ja çfarë shkruante Berisha në Facebook për Calavera-n, të cilën e quan ndrikulla e Ramës.

“Ajo, sipas mediave të mirëinformuara të Brukselit, në një akt të pastër korruptiv për llogari dhe me kërkesë të Edvin Hajdutit dhe në kundërshtim flagrant me qëndrimet zyrtare publike të zyrtarëve më të lartë të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, ka shfrytëzuar postin dhe i ka telefonuar Komisionit të Venecias duke i kërkuar që të mos shqyrtojë kërkesën e Presidentit të Shqipërisë për ligjin zgjedhor”.

Ish-kryeministri Berisha kërkonte që të nisej hetimi për Calavera-n dhe ajo të largohej nga detyra për lidhjet me Ramën. Por pas këtij komenti, reagoi komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi që shprehej se ka besim të plotë te Calavera. Komisioneri nuk e përmendi emrin e Berishës, por mesazhi që mori ish-kryeministri ishte aq i fortë, sa e detyroi të dalë e të kërkojë ndjesë se kishte përhapur lajme të rreme.

Loading...