Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar megaoperacionin e SPAK ku u arrestuan ish-drejtori i Forcave Operacionale, Oltion Bistri dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka.,
“Krahas shkarkimit të Damian Gjiknurit, numrit dy të PS, sot është njoftuar arrestimi i disa krerëve të botës së krimit shtetëror dhe të lidhur me shtetin. Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka, një nga banditët kryesorë, një njeri, i cili me ndihmën e Edi Rramës, ka grabitur rreth 100 mijë metra katrorë në Velipojë. Akuzohet edhe për vrasje njerëzish.
Pëllumb Gjoka ka një motel këtu, të cilit Edi Rama i ka dhënë apo donte t’i jepte pesë yje dhe kazino. Pëllumb Gjoka ishte po kaq i afërt me Edi Rramën sa Damian Gjiknuri. Por mbi Pëllumbin ishte Bistri.
Bistri është një nga eksponentët e krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai drejtonte Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. Oltion Bistri është një përbindshëm i krimit. Nga hajdut ordiner te autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit.
Ai zbatonte urdhrat e prokurorisë për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij në krim, ndaj edhe ata ia mbathnin lirshëm se njoftoheshin para se të ekzekutohej urdhri. Të gjithë ata që zbatojnë ligjin, do kenë mbështetjen e plotë të PD”, u shpreh ish-kryeministri.