Beteja popullore e Fushëbardhës në Labëri!

(Drejt 100-vjetorit të Betejës popullore të Skërficës në Fushëbardhë, ku trimat e Labërisë ndalën andartët grekë)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Akademia e Forcave të Armatosura, Tiranë
MSC Nexhip ONJEA
Studiues i fushës së historisë ushtarake, Tiranë

Shqiptarët në shekuj kishin “firmosur” me gjak
Beteja popullore e Fushëbardhës, në vendin e quajtur Qafa e Skërficës nuk mund të analizohet jashtë rrethanave historike të çështjes së kufirit jugor të Shqipërisë të diplomacive dhe të angazhimit ushtarak. Jo rrallë historia i ka përballur shqiptarët përballë aksioneve diplomatike të Fuqive të Mëdha të shoqëruara me padrejtësi, me interesava të fqinjëve e që kanë përfunduar me dhunë, luftra e derdhje gjaku. Lufta e Parë Ballkanike e tetorit 1912 solli ndryshime esenciale politike e gjeostrategjike në Ballkan.

Gjithë ndryshimet u bënë me luftë. Edhe kur lufta nuk kishte përfunduar dhe Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë më 28 nëntor 1912, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën qeverinë e parë të shqiptarëve. Por shqiptarët në shekuj për të drejtat kishin “firmosur” me gjak. Ndërkohë që diplomacia e Vjenës dhe Romës, promotore e ngjarjeve të pavarësisë ishte pozicionuar kundër përplasjeve me armë të shqiptarëve dhe osmanëve. Diplomacia, interesat dhe armët jashtë arsyes e të drejtës ishin bërë pjesë e jetës së shqiptarëve në fillim të shekullit të kaluar. Ngjarjet që lidhen me kufijtë shqiptarë përfshijnë organizma diplomatikë ndërkombëtarë dhe forcën e armëve. Qeveritë kukulla të ngritura në jug të vendit kishin për qëllim rrëmbimin e hapësirës shqiptare. Por mbrojtja e trojeve e bë me luftë popullore.

Pas gjashtë muaj lufte në Shkodër e Janinë, si dhe gjashtë muaj diplomaci në Londër, kemi një Shqipëri të cunguar, të kthyer arenë e synimeve grabitqare të fqinjëve të saj. Pas marrjes (dorëzimit) të Janinës më 8 mars 1913 nga forcat greke dhe të Shkodrës më 22 prill 1913 nga forcat malazeze, Austro-Hungaria dhe Italia duke e parë se sundimi osman nuk mund të mbahej më në Shqipëri, para konferencës paraqitën një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Mbështetur në këtë projekt, pas një lufte të ashpër diplomatike, konferenca më 29-31 korrik 1913 përfundimisht vendosi: Shqipëria të bëhej: “shtet i pavarur, asnjanës dhe të vihet nën kontrollin e Fuqive të Mëdha”. Faktikisht kjo u arrit me kryengritje mbarëpopullore me armë në dorë. Turqia nuk kishte asnjë lloj sovraniteti mbi Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha krijuan një Komision Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) dhe në tetor 1912 e dërguan në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe, për të vënë rendin dhe sigurinë në vend nisi krijimi i një xhandarmërie të huaj. Organizimi i xhandarmërisë fillimisht iu la Suedisë, por pas refuzimit të saj, në Shqipëri erdhën xhandarë holandezë.

Në mbledhjen e 31 korrikut 1913 u vendos që në krye të shtetit shqiptar të caktohet një princ i huaj, brenda 6 muajve nga vetë Fuqitë e Mëdha. Në fund të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, Shqipëria në pikëpamje politike ishte në një pozitë të mjaft të dobët: nuk kishte një qeverisje unike; në Shqipëri përveç qeverisë legjitime të Vlorës të Ismail Qemalit vepronin edhe qeveri locale, ku çdo qeverisje lokale kërkonte pozita në shtetin e ri; në Durrës nga 12 tetori 1913 vepronte “pleqësia e Durrësit” e Esat Pashë Toptanit; në Orosh të Mirditës qeveriste Prenk Bib Doda; në Fier e Myzeqe qeveriste Aziz Pashë Vrioni; në Elbasan vepronte Aqif Pasha, në Lezhë e Shëngjin Dedë Coku e Vat Marashi; në Shkodër qeveriste një detashment i ushtrive ndërkombëtare nën kryesinë e kolonelit anglez Filips; në Gjirokastër qeveria “autonomiste” e Zografos; në Mat Ahmet Zogu dhe grupe mercenarësh që vepronin gjatë kufijve shqiptarë. Fuqitë e Mëdha caktuan Vidin si qeveritar të Shqipërisë. Ismail Qemali dhe qeveria e tij dha pëlqimin për ardhjen e tij, dhe për t’i hapur rrugë një zhvillimi të ri politik të Shqipërisë si dhe sigurisë së saj më 22 janar 1914, dha dorëheqjen. Babai i Pavarësisë ja la vendin me shpresë për më mirë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK).

Ndërkombëtarët, “diplomacia” dhe masakrat
Ndërkombëtarët në 1914, administratën qendrore të Vlorës e shndërruan në një administratë lokale dhe në vend të 8 ministrive u krijua një drejtori e përgjithshme me 5 degë me kompetenca të limituara. KNK i kërkoi dhe Esat Pashë Toptanit, ta shpërndante “Pleqësinë e Durrësit”, që në fakt u shpërnda më 12 shkurt 1914, pasi mori premtimin nga KNK-ja se më 21 shkurt 1914 do ta kryesonte delegacionin shqiptar në Gjermani, për t’i dhënë kurorën Princ Vidit në Kështjellën “Neiwied”, në emër të shqiptarëve. Po kështu edhe qeveritë tjera lokale në Shqipëri, përveç në jug të Shqipërisë, u shpërbënë njëra pas tjetrës dhe u detyruan ta njohin sundimtarin e Shqipërisë të dërguar nga europianët. Administrata shtetërore shqiptare u përqëndrua në duart e KNK-së. Gjendja e brendshme e vendit nuk u përmirësua, por u keqësua, përfshi këtu edhe sovraniteti i tërësisë tokësore, që trondiste ekzistencën e shtetit shqiptar. Qeveria e Princ Vidit, kishte përfaqësuesit e saj të Jug të vendit, duke u gjendur në mes dy zjarresh: sulmit të forcave andarte në Jug dhe forcave rebele të Esat P. Toptanit në Shqipërinë e Mesme. Në pamundësi të ndihmonte forcat kryengritëse kundër andartëve, ju bëri thirrje kurveleshasve: “..Në se doni të bëhet Shqipëria, tërhiquni për në Vlorë”.
Pas kësaj thirrjeje, paria e Kurveleshit vendosi të bëjë shpërnguljen e popullsisë dhe tërheqjen me luftime të çetave të fshatrave për në Kurvelesh dhe Lumin e Vlorës, duke siguruar kështu shpërnguljen e popullsisë “me djepe ngarkuar, me foshnja në dorë”, pa ardhur forcat greke. Popullsia e fshatrave të Labërisë shkoi në Vlorë dhe rrethinat e saj. Të gjendur para tmerresh mijëra shqiptarë të viseve jugore lanë shtëpitë dhe gjithçka u kishte shpëtuar nga kusaritë e fqinjëve dhe ikën nga i shpunë këmbët, në drejtim të Vlorës. Rreth 150 mijë vetë qëndruan për vite të tëra nën hijet e “Ullishtes së Vlorës si dhe në fushën e hapur të Vjosës”; ku në fakt ka pasur humbje të konsiderueshme nga uria, sëmundjet dhe të ftohtit. Veprimet pushtuese të fqinjëve jugorë hasën rezistencë të fuqishme në të gjithë trevat jugore të vendit. Kështu çetat labe të drejtuara nga Çerçiz Topulli, Halil Sullo, Hasan Xhiku, Sulo Beqiri, Selam Musait, etj, shkruan histori të shqiptarizmës. Qëllimet politike dhe synimet strategjike greke kishin filluar të vinin si një re e zezë mbi Shqipërinë. Zjarrin fillestar nisën ta hidhnin me “autonomitë që synonin në Korçë, në Gjirokastër dhe në Himarë.
Pas dështimit në Korçë, grekët ngarkuan një shqiptar me origjinë nga Qesarati i Lunxhërisë në Gjirokastër, ish Ministër I jashtëm grek si dhe guvernator i Janinës, për të shpallur në Gjirokastër “Republikën Autonome të Epirit të Veriut më 23 shkurt 1914. Në “Republikën autonome” të Zografos u përfshi dhe Saranda, Delvina dhe Përmeti. “Qeveria” e Zografos përbëhej nga Jorgji Kristos Zografi – kryeministër, Vasilios – mitropolit i Gjirokastrës, Germanos – mitropolit i Korçës, Spiridon – mitropolit i Konicës, Aleksandër Karapanos – ministër i Jashtëm, Kolonel Dhimitris Dhulis – ministër i Luftës, Jorgos Paramenidhis – ministër i Ekonomisë, Jorgos Dhimas – zëdhënës i Epirit dhe Athinës. Qeveria e “Epirit të Veriut”, jetoi 253 ditë, që ishin ditë tmerri e masakrash për popullsinë e Jugut të Shqipërisë. Në Himarë majori i ushtrisë greke Spiro Spiromilo shpalli autonominë krahinore me shtatë fshatra dhe synonte ta zgjeronte rrethin e fshtrave me autonomi qeveritare më vete në 18 fshatra.
Strukturat ushtarake greke gjatë viteve 1913-1914, angazhuan potencialet e resurset më antishqiptare të quajtura “kompani e batalione të Shenjta”, të përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet greke, të cilët do të njiheshin si “Andartë”, veçanërisht të sjellë nga Kreta dhe Peloponezi. Njësitë e rregullta greke, të ashtuquajturit “epirotë” apo “andartë” zotëronin armë, municione, pushkë, mitralozë dhe madje dhe topa grekë të njëjtë. “Formacionet e shenjta” të dirigjuara nga fqinjët jugorë shqiptarë kanë kryer masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë gra, pleq e fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë dhe Gjirokastrën. Fakt është se ushtarakët me urdhër, hoqën uniformat dhe nisën masakrat, djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për: “lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës”. Situata u rëndua pas bisedimeve ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve “vorio-epirotë nga 10 maj deri 17 maj 1914, përfunduan me “Protokollin e Korfuzit” ose “Marrëveshjen e Korfuzit” të 17.5.1914.
Protokolli “udhëheqësve” shqiptarë, grekë e ndërkombëtarë mori vulën si “protokoll i turpit” sepse Shqipërinë e jugut ja falte grekut. 40 mijë ushtarë e andartë kryen masakra të pashembullta në qytete e fshatra të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës, Labërisë etj. Çetat e armatosura shqiptare megjithë depërtimin dhe masakrat e andartëve në shumë beteja i ripërsëritën një mësim historie fqinjëve si në betejën e Skërficës, në Senicë, Bashaj, Vergo, Kopaçez, Palavli, Rusan të Delvinës, në Fushëbardhë, Zhulat, Kapariel, Golem, Shkallë të Zezë, Shtëpëz, në Kodrat e Humelicës, Cepo, Kodrat e Shehe në Çepunë, nën Kolonjë, në grykën e Borshit, në Kallarat, në Lajthizë të Gusmarit etj. Lufta vazhdoi dhe në Kurvelesh, Këndrevicë e gjithë zonat labe për mbrojtjen e truallit arbëror.
Dëshmi tronditëse në jug të vendit. Sulmeve andarte të vitit 1914 u paraprinë masakra të shumta si “Masakra e Paramithisë më 27 mars 1913, ku u vranë 72 udhëheqës të krahinës së Çamërisë; masakra e Panaritit në janarit 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar u therrën mbi 400 burra, gra, fëmijë e pleq. 300 burra nga Panariti e Grabocka u keqtrajtuan dhundshëm në Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, dhe u prenë kokat djemve panaritas, ku gjaku rridhte si në thertore; më 25 shkurt 1914 në Pacomit e Kuqan dy fshatra afër Kosinës së Përmetit të banuar nga myslimanë, ku gjithë fëmijët që kishin mbetur në fshat u therën 75 vetë; në Hormovë vranë 217 vetë, në mars 1914. Dëmi total i masakrës së andartëve dhe ushtrisë greke në jug të Shqipërisë është katastrofik: 2500 të vrarë, 400 fshatra të djegura e mbi 200 milionë franga ari dëme.
Opinioni publik ndërkombëtar sidomos ai britanik u indinjua nga ky veprim i Greqisë dhe protestoi përmes deputetëve britanikë “Miqve të Shqipërisë” Sir Walter Guinness, Aubrey Herbert, Lord Lawington, etj. Ish-ministri i SHBA në Athinë, Fred Williams, që ishte edhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit protestoi në atë kohë me forcë kundër aktit çnjerëzor të qeverisë greke dhe pasi vizitoi Shqipërinë e Jugut, në shenjë proteste, u kthye në SHBA, dhe u bë mbrojtës i hapur i shqiptarëve”.
Rreth këtyre ngjarjeve mikja e shqiptarëve Edith Durham shkruan: “Nuk mund ti besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe dhe grekët edhe sikur një shekull të tërë, të bëjnë pendesë, ata nuk mund t’i shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”. Masakrat, djegiet e shkatërrimet e gjithçkaje, në ngjarjet e vitit të mbrapsht 1914, mund t’ju kujtojnë fqinjëve jugorë të shqiptarëve se në botën e civilizuar reflektohet dhe kërkohet edhe ndjesë.

Beteja popullore e Qafës së Skërficës në Fushëbardhë
Skërfica në Fushëbardhë bën pjesë në ato luftra lokale, ku greku synonte jugun e Shqipërisë, shfarrosjen e një populate autoktone që jetonte në truallin mijëravjeçar. Kjo çoi Greqinë drejt objektivit strategjik të vjetër. Atë që nuk mund ta bënte ushtria e bënin andartët që shkaktuan shkatërrime masive e barbare në fshatra dhe, si pasojë e mosfunksionimit të rendit dhe ligjit, banda të armatosura grabisnin e terrorizonin popullatën civile. Flakët e luftës në Ballkan përfshinë dhe jugun e Shqipërisë. Beteja e Skërficës nuk është një betejë e shkëputur e vitit 1914, por një vijimësi qëndrese e nisur në frontin e kryeqendrës së vilajetit Janinës si dhe në frontet e tjera të luftës.
Trupat greke e ato të veshur si andartë shkruan faqen më të erret të historisë së fqinjësisë, bënë masakrat dhe shkaktuan tmerret e pamëshirshme që njerëzimi kishte njohur. Grekët duke shfrytëzuar mosekzistencën e shtetit kishin depërtuar dhe në fshatrat e Labërisë. Për betejën e Skërficë kishte ardhur ora e së vërtetës. Forcat pjesëmarrëse në betejë nga çeta e Fushëbardhës ishin rreth 120 luftëtarë, me komandant çete fushëbardhasin trim Halil Sullo, por dhe pjesëmarrës nga Zhulati, Golemi, Picari, Libohova, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma, etj. Pala greke kishte fillimisht rreth 450 andartë dhe ushtarë grekë, të drejtuara nga shtabi madhor i vendosur në Jorgucat e Delvinë. Batalioni me andartë e ushtarë greke komandohej nga major Korjaskonis. Ishte ngritur një shtab madhor akademik ushtarak kundër kryengritësve popullorë të formuar në “akademinë” e betejave popullore. Shtabi Madhor përbëhej nga kolonel Dhuli në Gjirokastër, koloneli Joanidhi në Delvinë; koloneli Mavroidhi në Përmet; kolonel Zira në Tepelenë, koloneli Leonjdokanaki në Leskovik. Gjeneral Papulia në krye të shtabit madhor grek ishte vendosur në Jorgucat. Drejtimet e operacionit ishin: Delvinë–Qafa e Skërficës–Fushëbardhë–Zhulat-Golem dhe Kakavi–Jorgucat–Gjirokastrës–Cepo dhe Ura e Kardhiqit–Hormovë-Tepelenës. Grabitja e e tokës për ta vënë Evropën përballë fakteve përfshiu çdo fshat të Labërisë.
Lufta në Skërficë dhe në Cepo, në dy pozicione strategjike të spikatura. Por forcat e saj në total në drejtim të Rrëzomës e Skërficës shkonin deri në 1500 andartë dhe ushtarë të skalionuar. Kundërshtari ishte pajisur me armatime të kohës dhe mbështetej me artileri. Qafa e Skërficës u kthye për një javë istikami i qëndrese të përgjakshme. Garantimi i tërheqjes së banorëve të fshatrave në drejtim të Vlorës si mungesa e mëtejshme e municioneve dhe mbështetjes dhe futja në veprim e “kalit të Trojës”, që depërtuan përmes malit të Pilloit, duke marrë forcërisht udhërrëfys seniciotë për të krahëmarrë forcat që mbronin “Patkoin strategjik” të Skërficës bëri që luftimet të vijonin në vija të tjera më në thellësi. Shtrirja e frontit të luftës ishte nga Kameniku në Vraholl, mbi gurët e Bashe, Gropa e Dërrasës, Qafa e Skërficës që pika ekstreme e thellësisë së pritës. Forcat greke vinin nga Lavani dhe nga Mali i Gjerë. Çeta e parë e Fushëbardhës por dhe fashtrave të tjerë përbëhej nga Halil Sullo, Çobo Golemi, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Besim Bello, Ismail Nora, Habil Poçi, Kasëm Golemi, Hadër Uzeiri, Dervishi Uzeiri, Medi Uzeiri, Murat Cama, Llano Gjoça, Haxhi Muxhai, Rasho Gërxholli, Veip Gërxholli, Shamo Pula, Aliko Ago, Veliko Kondi, Hajro Bizhga, Kalo Bizhga, Mane Bizhga, Velishan Peçi, Rexho Bajko, Hasan Bajko, Jonuz Çarçani, Nazif Çarçani, Ismail Golemi, Sejdi Kondi, Pëllumb Kondi, Bajko Hasani, Bako Çarçani, Rasho Myrto, Kalo Stroka, Vejo Stroka, Birçe Basho, Dullah Kondi..etj.
Në mbështetje të frontit të luftës së Skërficës ishin edhe Manxhar Muho, Avdi Onjea, Neki Golemi, Belul Golemi si dhe shumë djem të tjerë të Kazajve, Muhajve, Norrajve etj. Burrat e Fushëbardhës dhe të gjithë krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës me në krye Halil Sullo, riorganizuan forcat luftarake për mbrojtjen në Qafë të Skërficës. Në kohën kur Skërfica mbrohej, komandanti i luftës dërgoi korrierin e luftës Cenko Onjea, me deyrë në interes të frontit, por grekët e pikasën dhe e plagosën rëndë, aq sa dhe kartën e leu me gjakun e tij, duke shkruar faqe heroizmi në një lëndinë të blertë sipër Fushëbardhës në Qafë Dardhë.
Çeta që luftonte kundër andartëve dhe ushtrisë greke bëri një qëndresë të pashembullt në histori duke luftuar me të gjitha mënyrat. Andartët “civilë”, të armatosur ushtarakisht, kampin e kishin ngritur në Luvadh dhe që vrojtonin gjithë lëvizjet e fshatarëve nga fusha në drejtim të Qafës së Skërficës. Kërcënimi i Qafës së Skërficës që ishte edhe një ndër pesë portat hyrëse të Labërisë, ishte serioz dhe u mbrojt me gjak.
Në Qafë të Skërficës, në këtë istikam natyror çeta bëri një qëndresë heroike nga 20 deri në 26 qershor 1914. Rajoni i Qafës së Skërficës u kthye në një xhephane të vërtetë lufte. Rezistenca ishte mjaft e fortë dhe pati përgjakje nga të dy palët. Lufta filloi në Gurët e Bashe, ku kishin dalë fillimisht në pritë 12 fushëbardhas dhe më tej vijoi tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shtrembër, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Lufta e Skërficës i ngjante një patkoi të gozhduar ashpër në dy faqe të maleve Gramati dhe Pillua. Ishte një luftë për jetë a vdekje; e cila vazhdoi me pushkë, thika, kama e bajoneta, por edhe me gurë nga luftëtarët e çetës së Fushëbardhës si dhe me artileri e armatimin e pajisjet më modern të kohës nga ana e andartëve.
Fushëbardha dhe fshatrat në Qafën e Skërficës përreth dhanë shumë dëshmorë në emër të një kauze të madhe si Halil Sullo komandanti i çetës dhe organizatori kryesor i cili u vra në hyrje të Shkëmbit të Skamanos; Dalip Kondi u plagos rëndë tek “Përroi i Shametit” dhe vdiq poshtë “Varrit të Plakës” tek piksaret, eshtrat e të cilit janë gjetur pas tre vjetësh në sipërfaqe bashkë me pjesën metalike e pushkës; Mete Jonuzi ra heroikisht tek Kroi i Resule, pranë Gurëve të Bashe; Sejdi Baho u plagos rëndë në “Gropën e Gjeshtrës” dhe ndërroi jetë në spital në Tepelenë; Cenko Onjea u plagos dhe u masakrua në Qafë Dardhë; Rizal Muho u vra tek Nomeja e Panjës mbi Kamenik; Halil Nora u vra në Qafë të Skërficës; Surja Tefa i plagosur rëndë luftoi trimërisht në Qafën e Trullave me mauxer dhe nagant, pa u dorëzuar edhe kur jeleku ishte mbuluar me gjak lufton deri në vdekje dhe nuk dorëzohej edhe kur andartët i bëjnë tortura çnjerëzore. Por nga Rrëzoma në Cepo ishte një xhephane lufte dhe në gjithë këtë hapësirë u vranë dhe dëshmorë të tjerë: Haxhi Zeman Muxhai nga Zhulati; Ismail Haki Hoxha nga Nepravishta; Siri Hasan Peçi nga Picari; Vejo Dervish Stroka nga Golemi. Dëshmorët e trevës labe e më gjerë kanë rënë në çdo fshat në fushë e në mal, ku një vend nderi zënë edhe dëshmorë të tjerë të Rëzomës: Bako Çako e Hysen Roboçi nga Kopaçeza; Bilal Axhem Leka nga Vergoi; Kol Foto Loli nga Senica etj.
Dëshmorët e Qafës së Skërficës pranë Fushëbardhës janë në panteonin e përjetshëm të mirënjohjes së kombit. Lufta kishte edhe dhjetra të plagosur si Murat Cama, Hadër Uzeiri, të cilët pas shërimit të plagëve morën pjesë dhe në Luftën e Vlorës më 1920.
Në betejën popullore të Skërficës nuk u bë pakt me dredhinë, edhe kur kërkohej “besë” nga pabesia. Kështu lufta ishte e ashpër dhe më në thellësi të Labërisë, në Zhulat, Golem e deri në Kuç, Kallarat, Bolenë etj. Shqiptarët u trupëzuan me qafën-kala natyrore të Skërficës, dhe ngelën në panteonin e kombit dhe në memorien popullore të Fushëbardhës, Kardhiqit, Rëzomës, Labërisë dhe të mbarë kombit shqiptar. Dëshmorët në Skërficë i dhanë emër të ri kësaj qafe mali, ku pas një shekulli quhet “Qafa e Dëshmorëve” në Fushëbardhë, qafa historike midis Gjirokastrës dhe Sarandës. Beteja e Skërficës vërtetoi se qëllimi i shtabit madhor grek pranë “qeverisë autonome” të Zografos ishte të grabisnin tokën e fqinjëve, që kurrë nuk ka qenë pjesë e tyre. Por u përballën nga Cepua, Fushëbardha, Skërfica, Kurveleshi e Labëria me zjarrin e papërmbajtur të luftëtarëve popullorë.

Skërfica në hartën e betejave shekullit XX për shqiptarët
Mbi Skërficë pranë Fushëbardhës në “Patkoin strategjik” kaluan “mysafirë” të shekujve legjonet romakë, normandë, venecianë, bizantinë, osmanë e grekë. Në Skërficë kaloi Pirrua i Epirit duke i shtuar krenarinë kaone e madhështinë ilire. Në Skërficë kaluan djemtë e “regjimentit shqiptar” të Napoleonit francez; në marrëveshje me Papazhulin kaloi dhe Boemundi në qershor të vitit 1081, që e kanë sjellë deri në ditët tona Revista “Shojzat” botuar në Romë më 1957 si dhe Ana Komnena, Protopatharius, Pjetër Dhjakono etj.
Beteja e Skërficës ishte një kundërpërgjigje popullore ndaj një makine shtetërore luftarake të “legjoneve të shenjta” që synonin tjetërsimin e territoreve shqiptare. Makinacionet e diplomacisë e politikës greke si dhe patericat diplomatike lobuese të disa Fuqive të Mëdha dëmtuan rëndë çështjen shqiptare dhe kostua e shkatërrimeve ishte në kufijtë ekstremë. Ajo ishte pasoja e pritshme pas asaj që bënë qindra ushtarë grekë, të cilët “dezertuan” nga ushtria dhe u bashkuan me “revoltat” për të shpëtuar “Vorio Epirin”.
Skërfica e përcaktuar nga shtabi madhor akademik si drejtim operativ i mundshëm dhe gravitet të madh sulmi ishte planëzuar e studiuar në mënyrë akademike me harta e hollësi operacionale. Skërfica ishte një “kështjellë natyrore”, që kërkohej të zotërohej me strategji akademike e me dredhi. Beteja e Skërficës në pikëpamje ushtarake, pati karakteristikat e veta taktiko-operative, ku shtabet luftarake artin operacional e lidhin me gjeohapësirën e kapacitetet. Çeta labe në Skërficë, që është një ndër pesë portat e Labërisë ndaloi sulmin e një force ushtarake të konsiderueshme, me luftëtarë popullorë, pa shkolla e akademi, pa artileri, pa resurse mbështetëse, me raport forcash 1:5 e më shumë për andartët.
Çeta e Fushëbardhës bazohej tek tradita luftarake e brezave dhe “Shtabi i lebërve” luftonin në emër të së drejtës, kundër një ushtrie të organizuar e të përgatitur me ushtarakë akademikë, taktika e strategji. Megjithatë çeta luftarake e Fushëbardhës thërmoi dhe dërmoi një batalion të mirëorganizuar dhe mbështetur. Prandaj Lufta e Fushëbardhës në Skërficë dhe dëshmorët e saj, janë duke u çimentuar e përkujtuar me një memorial madhështor në Fushëbardhë të Gjirokastrës, në vendin e kuvendeve dhe ligjvënësve popullorë Papa Zhulit e Idriz Sullit.
Për Betejën e fillimshekullit të kaluar poeti dhe atdhetari Ramiz Harxhi 100 vjet më parë nga SHBA do shkruate:“Të pavdekur janë gjith’ ata luanë,/Për nder të kombit u grin’e u vranë”.
Dëshmia për Skërficën erdhi nga Bostoni i ShBA-së sepse luftëtarët e Fushëbardhës e kishin pagëzuar “doktori”, për plagët e luftëtarëve që lidhte direkt në fushëbetejë. Historia e Betejës së Skërficës është si “lesson learn” sepse kjo qafë ndan dy qarqe, por bashkon dy krahina Krahinën e Rrëzomën përjetësisht të lidhura në besë, zakone, tradita e lidhje të forta historike. Sot kohët kanë ndryshuar. Ecja drejt BE-së me identitetin e vërtetësinë historike, me tolerancë, kulturë, drejtësi, si dhe me dëshirën për të jetuar denjësisht në këtë botë ndonjëherë dhe të mjegullt bën që brezat të sinergjojnë energjitë me fokus perspektivën.

Loading...