Bilanc tragjik nga koronavirusi në Itali në 24 orët e fundit

Italia mbylli diten e sotme nje nga bilancet me te renda te koronavirusit.

133 të sëmurë me koronavirus humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit në Itali, duke e çuar numrin total të tyre në 366.

Ndërsa numri të infektuarve arriti në 6 387. Por rritje ka pësuar edhe numri i të shëruarve, 622 që përbën gati dyfishin e shifrës së viktimave.

Përshpejtimi i ritmeve të përhapjes së koronavirusit detyroi qeverinë italiane të marrë masa ekstreme, duke vendosur në karantinë gjithë rajonin verior të Lombardisë, zemrën e ekonomisë italiane, ku përhapja është më e larta në gjithë vendin.

Në karantinë u futën edhe 14 zona të tjera në very, mes të cilave Venecia, Padova, Rimini, Parma, etj. Në zonat e karantinës banojnë 16 milionë njerëz, çereku i popullsisë së vendit.

Kryeministri italian Conte urdhëroi ndalimin e hyrje – daljeve të njerëzve nga zonat e karantinës. Masa ekstreme ka detyruar mijëra qytetarë të marrin valixhet për të ikur nga Milano.

Jo vetëm veriu por i gjithë vendi përfshihet nga disa prej masave të reja drastike, ku përveç mbylljes së shkollave, qeveria urdhëroi edhe kyçjen e palestrave, muzeve, klubeve të natës dhe shumë aktiviteteve të tjera publike.

Restorantet dhe baret do të qëndrojnë të hapura nga ora 6 e mëngjesit deri më 18.00 në darkë. Klientët duhet të qëndrojnë deri në 1 metër larg njëri-tjetrit.

Janë ndaluar po ashtu edhe ceremonitë e dasmave dhe varrimet. Këto masa do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri më 3 Prill. Për të mos grumbulluar besimtarët në sheshin Shën Pjetër, Papa Françesku e zhvilloi meshën e të dielës përmes transmetimit me video.

Italia, me numrin më të lartë të viktimave pas Kinës, është vendi i dytë në botë që ndërmerr masa ekstreme kundër përhapjes së koronavirusit.

Numri i të prekurve vijon të rritet edhe në Greqi, ku tashmë numërohen 66 të infektuar, 47 prej të cilëve pelegrinë të rikthyer me të njëjtin autobus nga Izraeli dhe Egjipti. Irani është një tjetër pikë e nxehtë e koronavirusit ku numërohen 145 të vdekur dhe mbi 6 mijë të infektuar.

Shtim të numrit të të prekurve ka pasur edhe në Francë, Gjermani, Spanjë, Britani të Madhe e Holandë. Bullgaria, Malta, e disa vende të Amerikës Latine janë futur gjatë orëve të fundit në listën e vendeve të prekura.

Shteti federal amerikan i Nju Jorkut shpalli gjendjen e emergjencës. Ndërsa autoritetet kineze thanë se numri i të shëruarve ka arritur në 70% të totalit të të prekurve deri më sot.

Një hotel ku mbaheshin nën mbikëqyrje disa të infektuar u shemb në rrethana të paqarta në Kinë, duke i marrë jetën 10 personave. Në gjithë botën numërohen afro 3600 viktima e dhe mbi 106 mijë të infektuar, citon klan.

Loading...