Bilanci i Vettingut – 60 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar

186 gjyqtarë e prokurorë kanë kaluar në sitën e Vettingut nga 1 shkurti i vitit 2018 deri në 31 korrik të këtij viti.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar gjetjet për procesin e Vettingut nga momenti që ai ka filluar; dhe sipas monitorimeve të kryera deri tani janë shkarkuar 60 gjyqtarë e prokurorë, 37 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen ose kanë dalë në pension; ndërkohë që Komisionin i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë 76 gjyqtarë e prokurorë.

Nga monitorimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit numri më i madh i shkarkimeve nga detyra vjen për shkak se gjyqtarët e prokurorët kanë probleme me më shumë se një kriter, 37 janë shkarkuar për këtë; më pas kriteri i pasurisë është ai që ka djegur më shumë magjistratë pasi 22 prej tyre nuk e kanë kaluar Vettingun pasi nuk justifikonin pasurinë, dhe vetëm një magjistrat është penalizuar sepse ka pasur probleme me pastërtinë e figurës.

Shkalla e dytë e Vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shqyrtuar gjithsej 31 dosje.

Nga këto në 18 raste, KPA ka lënë në fuqi vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në 9 raste është ndryshuar vendimi i shkallës së parë të Vettingut, është pushuar shqyrtimi në 3 raste, dhe në një rast është prishur vendimi.

Loading...